Gjykata Administrative e Kosovës ka refuzuar propozimin e Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për pezullimin e efekteve juridike të vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës lidhur me ndryshimin e çmimit të biletës së udhëtimit në transportin publik urban.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm”, shkroi Rama në Facebook, duke bashkangjitur vendimin e gjykatës.
Vendimi është marrë më 28 korrik 2026, në kuadër të konfliktit administrativ mes Grupit të Asamblistëve të VV-së, të përfaqësuar nga kryesuesi Gëzim Sveçla dhe avokatja Besarta Zuka, dhe Komunës së Prishtinës.
Asamblistët kishin kërkuar pezullimin dhe ndalimin e prodhimit të efekteve juridike të Vendimit nr. 14-020/01-94753/26, të nxjerrë më 29 qershor 2026 nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Sipas dokumentit të Gjykatës Administrative, me këtë vendim ishte miratuar ndryshimi i çmimit të biletës së udhëtimit në transportin publik urban.
Grupi i asamblistëve të VV-së kishte kërkuar që ekzekutimi i këtij vendimi të pezullohej deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.
Megjithatë, Gjykata Administrative ka vendosur ta refuzojë këtë propozim, duke lënë në fuqi efektet e vendimit të kontestuar deri në një vendim përfundimtar në procedurën gjyqësore.
Në aktvendim thuhet se procedura në këtë konflikt administrativ do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës së konfliktit administrativ dhe planit të punës së gjykatës.
Nga dokumenti rezulton se paditësit, përmes autorizueses së tyre, më 22 korrik 2026 kishin paraqitur padi për anulimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, ndërsa kishin kërkuar edhe masën e përkohshme për pezullimin e zbatimit të tij.

