Shërbimi suedez i sigurisë, Säpo, njoftoi se ka parandaluar një operacion të inteligjencës ruse që synonte të ndikonte në vendimmarrjen suedeze dhe të dëmtonte imazhin e Suedisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Shërbimi suedez i sigurisë (Säpo) njoftoi të hënën se ka zbuluar dhe ndërprerë një operacion të inteligjencës ruse, i cili synonte të “diskreditonte” Suedinë dhe përfshinte një agjent të rekrutuar brenda një misioni diplomatik të huaj në Stokholm.
Sipas Säpo, operacioni ishte planifikuar dhe drejtuar prej një periudhe nga SVR-ja, shërbimi i inteligjencës së jashtme të Rusisë.
Operacioni u zhvillua nga dy agjentë rusë të shërbimeve sekrete, të cilët gëzonin imunitet diplomatik. Ata më pas rekrutuan një person tjetër, i cili punonte brenda një misioni diplomatik në Suedi, bëri të ditur Christoffer Wedelin, zëvendësdrejtor i operacioneve në Säpo.
Shërbimi suedez i sigurisë nuk bëri të ditur se për cilin mision diplomatik bëhej fjalë.
Synimi: të krijohej përçarje
Sipas Wedelin, gjatë takimeve me burimin e rekrutuar, agjentët rusë i kishin kërkuar atij të mblidhte informacione përmes mënyrave të ndryshme, me qëllim “mbjelljen e përçarjes” në Suedi dhe mes vendeve aleate të BE-së dhe NATO-s.
Informacioni lidhej me proceset vendimmarrëse në Suedi, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e informacionit të mbledhur apo kohëzgjatjen e operacionit.
Pasi u informua për operacionin, Säpo ndërhyri dhe e ndërpreu atë. Wedelin konfirmoi se të tre personat e përfshirë nuk ndodhen më në Suedi.
Në një paraqitje të rrallë para mediave, Säpo publikoi edhe fotografi të tre personave. Në njërën prej tyre shihen dy burra duke pirë birrë në një lokal.
Ministri suedez: Informacion “serioz”
Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, reagoi menjëherë ndaj njoftimit, duke e cilësuar informacionin si “serioz”.
“Ky është pjesë e një modeli ku Rusia, së bashku me aktorë të tjerë shtetërorë, po vepron në mënyrë ofensive për të mbrojtur interesat e saj në Suedi”, deklaroi Strömmer.
Ai theksoi se aktiviteti i zbuluar nuk kishte lidhje me zgjedhjet parlamentare suedeze, të planifikuara për 13 shtator.
Suedia, tashmë pjesë e NATO-s
Në vitin 2024, Suedia i dha fund rreth dy shekujve të mosangazhimit ushtarak, duke u bërë anëtare e NATO-s, në një vendim të ndikuar ndjeshëm nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
Säpo ka paralajmëruar vazhdimisht se Rusia, Kina dhe Irani përbëjnë kërcënimet kryesore ndaj Suedisë sa i përket operacioneve të inteligjencës dhe spiunazhit. /Albinfo.ch
The post Suedia thotë se ka parandaluar një operacion të inteligjencës ruse appeared first on Gazeta Express.

