Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për çmimoren e re të biletave të trafikut urban.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar ashpër ndaj anëtarëve të Vetëvendosjes në Prishtinë.
“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.
Vetëvendosje në Prishtinë kishte parashtruar padi në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik në kryeqytet.
Sipas pretendimeve të kësaj partie, kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik. Për këtë arsye, asambleistët e Vetëvendosjes kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj vendimit.
Me refuzimin e kërkesës për masën e përkohshme, Gjykata Supreme nuk e ka pezulluar zbatimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për çmimet e reja të biletave.

