Një gjykatë në Moskë ka vendosur se e vetmja parti liberale dhe kundër luftës në Rusi nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Yabloko ishte e vetmja parti e regjistruar që kundërshtoi luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Çështja kundër saj u ngrit nga Rodina, një parti nacionaliste pro-Kremlinit.
Qindra njerëz – kryesisht shumë të rinj – të hënën kishin qëndruar jashtë gjykatës së Moskës ku po zhvillohej seanca dëgjimore në mbështetje të Yabloko-s, duke kënduar këngë dhe duke valëvitur flamuj.
Videot e postuara në mediat sociale treguan se kur lajmi për vendimin u përhap në turmë, shumë filluan të brohorisnin: “Turp! Turp!”
Padia nga partia Rodina akuzoi Yablokon për mbështetje publike të një organizate ekstremiste duke publikuar materiale në faqen e saj të internetit në mbështetje të “lëvizjes ndërkombëtare LGBT”, të cilën Gjykata Supreme e Rusisë e shpalli ekstremiste në vitin 2023.
Rodina tha gjithashtu se Yabloko ishte fajtore për shkelje të të drejtave të autorit pasi një anëtar i lartë i partisë kishte cituar tekstin e një kënge të epokës sovjetike – “Le të ketë gjithmonë diell” – në një intervistë.
Në seancën dëgjimore, shërbimi i monitorimit financiar të Rusisë pretendoi gjithashtu se Yabloko mori para përmes palëve të treta nga vende të huaja, përfshirë Gjermaninë dhe SHBA-në.
The post Gjykata ruse ndalon partinë liberale kundër luftës të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare appeared first on Gazeta Express.

