Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Etno Festin në Kukaj, ku ka ndjekur shfaqjen “Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh”, me autor Enver Dugollin.
Kurti tha se rrëfimi i Dugollit është dëshmi e vuajtjeve të të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë, duke veçuar edhe Masakrën e Dubravës si një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
“Mbrëmë ishim në Etno Fest ku ndoqëm shfaqjen “Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh”, të autorit Enver Dugollit. Rrëfimi i Enverit nuk është vetëm kujtim personal, ai është dëshmi e një kohe të rëndë, e vuajtjeve të të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë, e dhunës sistematike, e qëndresës dhe e mbijetesës. Në qendër të kësaj kujtese është edhe Masakra e Dubravës, një prej krimeve më të rënda e mizore të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Me regji të Yll Berishës, dramatizim të Alban Beqirajt dhe interpretim të fuqishëm nga Afrim Muçaj dhe Artan Geca, shfaqja e sjell dëshminë historike në skenë përmes teatrit dokumentar, duke e kthyer kujtesën në përgjegjësi për të mos harruar”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka vizituar gjithashtu ekspozitat dhe instalacionet e shumta të këtij edicioni, mes tyre veprat e Ferid Morinës, Burim Myftiut, Ridvan Slivovës, Gazmend Çitakut, Mentor Berishës, Arben Shalës, Butrint Morinës, Qamil Shahinajt, Berat Hasanit, Doruntina Bytyqit dhe Ermira Belegu Deçanit, si dhe instalacionet e Reporting House, të cilat përmes artit, fotografisë dhe objekteve dokumentuese na rikthejnë te kujtesa individuale dhe kolektive.
“Në edicionin e tij të 16-të, nën temën “Kujtesa”, Etno Festi vazhdon ta bëjë Kukajn një vendtakim të artit, trashëgimisë, historisë dhe krijimtarisë bashkëkohore. Një festival ku e kaluara nuk ekspozohet vetëm për t’u kujtuar, por për t’u kuptuar, për të menduar dhe për t’ua përcjellë atë brezave që vijnë”, tha ai.

