Gjatë vizitës në Budapest, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi takime të ndara me zëvendëssekretaren e shtetit për politikë të sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Cecília Szenes, dhe me të dërguarin e posaçëm të Hungarisë për Ballkanin Perëndimor, András Klein.
Në të dy takimet, fokus ishte rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me statusin kandidat dhe hapjen e negociatave si hapat e ardhshëm. Kryenegociatori Zulfaj theksoi se Kosova duhet të vlerësohet mbi bazën e meritës. Statusi kandidat dhe hapja e negociatave do të nxisin reforma transformuese, me ndikim të drejtpërdrejtë në institucione dhe në jetën e qytetarëve.

Zulfaj vlerësoi se Hungaria mund të luajë rol të rëndësishëm në avancimin e Kosovës drejt statusit kandidat dhe kërkoi mbështetjen e saj aktive.
Në takimin me Klein u diskutua edhe bashkëpunimi dhe siguria rajonale. Zulfaj nënvizoi se Kosova është partnere e qëndrueshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE kontribuon në sigurinë dhe paqen afatgjatë të rajonit.
Kryenegociatori Zulfaj ritheksoi se pjesëmarrja e Hungarisë në grupin Miqtë e Ballkanit Perëndimor në korrik të këtij viti, paraqet sinjal të qartë të angazhimit të shtuar të Hungarisë ndaj rajonit, veprim të cilin e mirëpresim
Burimi: RTKLive




