Ushtarët shumëkombësh të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, kanë zhvilluar një seri marshimesh këmbësore në terrene të vështira malore në Kosovë, përfshirë zonat përreth kampit “Villaggio Italia”.
Stërvitja kishte për qëllim zhvillimin e qëndrueshmërisë fizike dhe aftësive të lëvizjes në terrene malore, si dhe forcimin e ndërveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet pjesëtarëve shumëkombësh të RC-W-së.

KFOR-i tha se stërvitjet e rregullta në terrene të vështira u mundësojnë pjesëtarëve të tij të ruajnë aftësitë, gatishmërinë dhe vetëdijen për situatën, të nevojshme për të vepruar në mënyrë efektive në të gjithë Kosovën.
Këto aktivitete kontribuojnë në përmbushjen e angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës.
“KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës. Misioni vepron në çdo kohë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë”, njofton KFOR.
Burimi: RTKLive




