Është përuruar Tregu i Veturave në Bërnicë të Poshtme në Prishtinë, projekt ky i realizuar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale e Kryeqytetit, i cili sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, do të shërbejë edhe për funksione të tjera.
Rama ka bërë të ditur se në këtë hapësirë do të bartet tregu i makinave, ndërsa përkohësisht do të shfrytëzohet edhe për tregun e druve.
Ai tha se janë paraparë gjithsej katër funksione për këtë hapësirë, duke përfshirë edhe poligonin për autoshkolla dhe sistemin “Park and Ride”.
“Tashmë është transformuar si një hapësirë multifunksionale. Pra, këtu kemi krijuar pjesë për treg të makinave që duhet me mbajt prej depozitës tash kur është atje për rrugës për Fushë Kosovë në zonën industriale, pra do të bartet këtu tregu i makinave. Po ashtu edhe tregu i druve që tash jemi në kërkim për një lokacion tjetër rreth zonës të Gollakut, mirëpo deri në pikën kur e caktojmë lokacionin tjetër do ta shfrytëzojmë këtë zonë këtu për tregun e druve, pra që të kemi edhe këtë të organizuar”, tha ai.
Rama tha se në këtë hapësirë do të zhvendoset edhe poligoni për autoshkolla, ndërsa gjatë ditëve kur nuk zhvillohet tregu, hapësira do të shfrytëzohet për “Park and Ride”.
“Po ashtu e kemi hapësirën tjetër e cila poligoni për autoshkollë që shfrytëzohet tek stacioni i autobusëve edhe ai do të bartet në këtë zonë këtu, dhe e katërta që përdoret kjo gjatë javës kur nuk është treg përdoret për ‘Park and Ride’, pra me parkuar edhe me udhëtuar, pra si pjesë e procesit tonë të transformimit edhe të mobiliteit në kryeqytet ku të gjithë udhëtarët që vijnë prej zonave të Llapit apo prej të gjitha zonave të fshatrave të kësaj ane munden me u parkuar këtu edhe me shfrytëzuar transportin urban, pra pa pare, pa pagesë, pra ajo pagesa e cila përdoret për parkim transformohet në kartelë ditore, pra për shfrytëzim të trafikut urban. Pra janë këto katër elemente të cilat me këtë hapësirë këtu na e lehtësojnë, na i lehtësojnë proceset në kryeqytet edhe si e tillë kompania publike jonë, kompania Gjelbër do të jetë në menaxhment të këtyre hapësirave derisa normal ndërmarrim masa të tjera në zhvillimin edhe transformimin e kryeqytetit”, tha ai. /eo

