Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet, R.H. dhe Q.H., nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës, u kanë shitur personave të ndryshëm substancë narkotike të llojit kokainë.
Bëhet fjalë për sasi nga 0.22 deri në 0.50 gramë për shitje, transmeton Zeri.info.
Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, te të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme 1.7 gramë, një mulli për bluarjen e substancës narkotike, dy telefona mobilë dhe 1,700 euro para të gatshme.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen dhe t’u shqiptojë dënim sipas ligjit. /Zëri

