Kryeministri në detyrë, Albin Kurti shkroi për Eqrem Kryeziun, ish-nënkryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili vdiq sot në mëngjes në moshën 78-vjeçare.
Kurti kujtoi herën e fundit që e takoi Kryeziunm në shtëpinë e tij në Prizren.
“Sot, në moshën 78-vjeçare, ka vdekur Prof. Eqrem Kryeziu. Herën e fundit që u takuam në shtëpinë e tij në Prizren, ishte nga fundi i dhjetorit të vitit 2025. Diskutuam shtruar e këndshëm për atë çka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Kurti tha se “Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës”.
“Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë. Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm U prehtë në paqe!”, shkroi Kurti.
The post Kurti e kujton Eqrem Kryeziun si “politikan në shërbim të Prizrenit”, pa e përmendur LDK-në: Në takimin e fundit diskutuam këndshëm për Kosovën appeared first on Gazeta Express.

