Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar që edhe punëtorët e sektorit privat të përfshihen në skemën e pagës së 13-të, pas vendimit të Qeverisë për ndryshimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.

Qeveria, më 30 shtator, miratoi ndryshimet në Projektligjin për Buxhetin, ku parashihet përgatitja për dhënien e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik.
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se edhe punëtorët e sektorit privat janë kontribuues të mëdhenj në buxhetin e shtetit dhe se përjashtimi i tyre do të ishte diskriminues.
Pasi ndarja buxhetore pritet të rishikohet nga Kuvendi i Kosovës, kjo çështje me aminin e ekzekutivit mund të jetësohet.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve financiare, Shkumbin Misini, ka thënë se Qeveria, përmes të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mund të identifikonte numrin e punëtorëve dhe pagat e tyre dhe të shqyrtonte mundësinë e ndarjes së mjeteve për pagën e 13-të.
Nëse kjo nuk ndodhë, sindikalistet paralajmërojnë protesta për javën tjetër, teksa një përgjigje për këtë nuk e dha as dikasteri qeveritar për televizionin.




