“Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë

“Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë

“Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë

Jared Kushner ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave amerikane lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit në Shqipëri, duke hedhur poshtë pretendimet se toka i është dhënë nga qeveria shqiptare dhe duke paraqitur detaje mbi investimin dhe planet për zhvillimin e zonës.

Sponsor 3M Express

Në reagimin e tij, Kushner ka thënë se toka është blerë përmes një transaksioni privat për 230 milionë euro, ndërsa ka theksuar se investimi i përgjithshëm, nëse projekti realizohet, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro.

“Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partnerët tanë e blenë atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të këtyre përmasave”, ka shkruar Kushner.

Sipas tij, titulli i pronësisë është shqyrtuar nga këshilltarët ligjorë dhe është verifikuar para vijimit të projektit.

Kushner ka deklaruar se projekti ka nisur si një investim privat, i mbështetur në bindjen për potencialin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.

“Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle. Edhe pse nuk ka garanci, ne po e ndërmarrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se, nëse projekti rezulton i suksesshëm, mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende pune, aktivitet ekonomik dhe më shumë vizibilitet ndërkombëtar për Shqipërinë.

Kushner ka theksuar gjithashtu se puna për projektin ka zgjatur më shumë se tre vjet, gjatë të cilave, sipas tij, janë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për studimin e terrenit, mjedisit dhe nevojave të rajonit.

Ai ka bërë të ditur se në proces janë përfshirë arkitektë, dizajnerë, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të tjerë, me synimin për të krijuar një projekt që, sipas tij, të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Kushner ka përmendur edhe partnerët në projekt, përfshirë Asher Abehsera, të cilin e ka përshkruar si mik dhe partner biznesi, si dhe familjen shqiptare Kastrati, e cila, sipas tij, ua kishte prezantuar fillimisht mundësinë e investimit në këtë zonë.

Në reagimin e tij, Kushner ka folur edhe për Ramez dhe Moutaz Alkhayyat, me të cilët tha se ishte takuar për herë të parë në Doha gjatë Kupës së Botës 2022. Ai ka përshkruar historinë e tyre si sipërmarrës që u larguan nga Siria dhe ndërtuan bizneset e tyre në Katar.

Kushner ka sqaruar se roli i tij në projekt është kryesisht i lidhur me vizionin dhe dizajnin, ndërsa ka theksuar se është partner në pakicë dhe nuk është i përfshirë në menaxhimin e përditshëm të projektit.

Një pjesë të rëndësishme të reagimit ai ia ka kushtuar edhe çështjes së mjedisit, duke deklaruar se projekti synon të zhvillohet sipas standardeve të larta mjedisore.

“Ambicia jonë është të ndërtojmë sipas standardeve më të larta të dizajnit dhe mjedisit, dhe ta lëmë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më të fortë nga ana mjedisore”, ka shkruar Kushner.

Ai ka theksuar se projekti duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vijuar.

Kushner ka mohuar gjithashtu se projekti ka përparuar për shkak të lidhjeve të tij me presidentin amerikan Donald Trump, duke argumentuar se interesi për projektin kishte nisur në verën e vitit 2021, kur ai ishte ende qytetar privat dhe para se Trump të shpallte kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Edhe për aeroportin e përfshirë në raportimet për projektin, Kushner ka dhënë një version tjetër, duke thënë se ai ishte miratuar para se ai ta shihte projektin për herë të parë dhe se aeroporti ishte një nga faktorët që e kishte tërhequr drejt kësaj mundësie investimi.

Në fund, Kushner ka thënë se vendimi për vazhdimin e projektit i takon Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

“Nëse miratohet, shpresoj që të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe anembanë botës ta shijojnë për breza me radhë”, ka përfunduar ai.

Lexo edhe

Lojtari që u rrit me Timber, Gravenberch e Brobbey në Ajax, por e la futbollin për muzikën

Lojtari që u rrit me Timber, Gravenberch e Brobbey në Ajax, por e la futbollin për muzikën

Bajram Shala plas “bombën”: Shqipëria ishte pranë të na vidhte Dion Gallapenin, provuan edhe me Franco Fodan

Bajram Shala plas “bombën”: Shqipëria ishte pranë të na vidhte Dion Gallapenin, provuan edhe me Franco Fodan

Maliqi: Mos nxitoni me kritikat ndaj stafit të Shiroka-Pulës, jepini kohë

Maliqi: Mos nxitoni me kritikat ndaj stafit të Shiroka-Pulës, jepini kohë

“Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë | Momenti