Lularta Buja

“…Paramendone, t’u m’kqyrë me ultraza, e fotografojke edhe ja qojke ChatGPT. Me ChatGPT m’kqyrke mjeku, me ChatGPT…”.
Ky është reagimi i një vajze influencere në TikTok, e cila ndau me ndjekësit e saj një përvojë gjatë një vizite në një prej klinikave të QKUK-së.
Përdorimi i teknologjisë nga mjekët nuk është diçka e re.
Google ka qenë prej vitesh një nga mjetet që profesionistët shëndetësorë përdornin për të kërkuar informacione, për të verifikuar të dhëna apo për t’u rikujtuar rreth rasteve të caktuara.
Tash, në këtë rutinë po hyn edhe inteligjenca artificiale (IA) me mjete si ChatGPT e agjentë tjerë që po përdoren gjithnjë e më shumë.
Google dhe ChatGPT në tavolinën e mjekut: ndihmë për diagnozën apo rrezik për pacientin?
Përdorimi i Google apo i ChatGPT nuk është në vetvete problem. Çështja kryesore, sipas profesionistëve shëndetësorë është mënyra se si përdoren këto mjete, sa verifikohet informacioni që ofrojnë këta agjentë dhe nëse ato përdoren si mbështetje apo si zëvendësim i gjykimit profesional.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) paralajmëron për një fenomen të njohur si “automation bias” (shq. Prirje për t’i besuar përgjigjeve të teknologjisë), ku profesionistët mund t’u japin peshë të tepruar përgjigjeve të prodhuara nga IA dhe të anashkalojnë gabimet e saj.
Klankosova.tv ka biseduar me Aurora Dollenberg, doktoreshë me specializim në Mjekësinë Familjare, Mjekësinë e Urgjencës dhe Psikoterapisë në Gjermani. Ajo theksoi se dobia e mjeteve të inteligjencës artificiale varet shumë edhe nga përvoja e personit që i përdor.
“…Për një mjek të ri që ende nuk ka një bazë të fortë klinike, unë e shoh përdorimin e pakontrolluar të ChatGPT si një rrezik real…”, u shpreh Dollenberg.
Ajo shpjegoi se një nga problemet që mund të shfaqet është se mjeku mund të mbështetet në një informacion që duket i saktë por nuk është i tillë për rastin konkret.
“…Nga njëra anë, mund të ketë mbidiagnostikim dhe frikësim të pacientit. Një simptomë krejtësisht e zakonshme mund të lidhet menjëherë me një sëmundje të rëndë, madje edhe me kancer dhe pacienti futet në panik. Por ekziston edhe e kundërta: një mjek pa përvojë mund të mos e kuptojë rëndësinë e një simptome, të një rezultati laboratorik ose të një gjetjeje në ekzaminimin fizik dhe ta nënvlerësojë një sëmundje serioze. Në këtë rast mund të humbet një kohë shumë e rëndësishme për diagnostikim dhe trajtim…”, deklaroi ajo.
Në korrik 2026, OBSh/Europa paralajmëroi se përdorimi i IA-së në shëndetësi po ecën më shpejt se krijimi i rregullave për ta kontrolluar. Sipas kësaj organizate, vetëm 8% e vendeve të rajonit evropian të OBSh-së kishin një strategji specifike për IA-në në shëndetësi, ndërkohë që pothuajse dy të tretat tashmë po e përdornin IA-në në diagnostikim.
Megjithatë, dallimi qëndron te mënyra se si përdoren këto mjete dhe te pesha që u jepet informacionit që ato ofrojnë. Një kërkim në Google për një udhëzim klinik nuk është e njëjta gjë me marrjen e një vendimi terapeutik nga një chatbot.
Edhe në praktikën klinike, Gani Bajraktari, profesor dhe specialist i kardiologjisë, pranoi se këto mjete mund të kenë rol, por vetëm si mbështetje. Ai e përjashtoi mundësinë që një chatbot të jetë burimi i vetëm mbi të cilin ndërtohet një vendim për pacientin.
“…Një vendim për pacientin duhet të mbështetet në anamnezë, ekzaminim, analiza, imazheri, udhëzime klinike dhe përvojën profesionale të mjekut…”, potencoi Bajraktari për Klankosova.tv.
Sipas Gazmend Bojajt, profesor dhe ekspert i Kujdesit Parësor Shëndetësor, një përgjigje e marrë nga një sistem i Inteligjencës Artificiale nuk duhet të konsiderohet automatikisht e saktë vetëm për shkak se është e formuluar në mënyrë bindëse. “…Rreziku më i madh është besimi i verbër pa verifikim…”, tha ai.
Bojaj theksoi se informacioni i gjeneruar nga këto mjete mund të jetë i pasaktë, i paplotë ose të mos i përshtatet rrethanave konkrete të pacientit. Për këtë arsye, përdorimi i pakontrolluar mund të ndikojë edhe në vendimmarrjen klinike.
Këtë kufi e vë në pah edhe Dollenberg. Ajo tregon se ChatGPT tashmë është pjesë e punës së saj, por jo në vendimmarrjen klinike.
“…Po, e përdori ChatGPT, por jo për të vendosur një diagnozë ose për të përcaktuar një terapi për pacientin…”, shprehet ajo.
Por, pikërisht këtu, doktoresha në Gjermani sheh edhe një prej kufizimeve kryesore të mjeteve si ChatGPT: përgjigjja mund të duket bindëse edhe kur pyetja është e gabuar ose kur informacioni nuk përshtatet me rastin konkret.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka paralajmëruar se modelet gjuhësore si ChatGPT mund të prodhojnë përgjigje që duken bindëse dhe autoritative, por që mund të jenë të pasakta ose të përmbajnë gabime serioze kur përdoren për çështje shëndetësore.
I pyetur në lidhje me këtë, eksperti i teknologjisë, Darsej Rizaj për Klankosova.tv tha se IA mund të ndërtojë një përgjigje që duket e plotë edhe kur informacioni në dispozicion nuk mjafton. Madje, mund të prodhojë tituj studimesh, emra autorësh apo shifra që duken bindëse, por që mund të jenë të pasakta ose të sajuara.
“…Problemi është se gabimi nuk vjen domosdoshmërisht me ndonjë shenjë paralajmëruese. Edhe një profesionist mund të mashtrohet nga forma. Referenca duhet hapur dhe lexuar; vetëm prania e saj poshtë përgjigjes nuk e bën pohimin e vërtetë…”, shpjegoi ai për klankosova.tv.
Por, si verifikohet një përgjigje e marrë nga IA? Sipas ekspertit, procesi duhet të nisë me tri pyetje: “…Nga erdhi ky informacion? A është ende aktual? A zbatohet në këtë rast?…” Më pas, informacioni duhet të krahasohet me burimet origjinale dhe udhëzimet klinike dhe të vlerësohet nga profesionisti përkatës.
“…Ta pyesësh ChatGPT-në ‘a je i sigurt?’ mund ta vazhdojë bisedën, por nuk e zëvendëson këtë kontroll. Në një institucion duhet përcaktuar edhe kush e kontrollon rezultatin dhe çfarë ndodh kur sistemi gabon…”, deklaroi Rizaj.
Nëse mjeku pyet Google dhe ChatGPT, a kemi të bëjmë me mungesë njohurish?
Në një artikull të publikuar në “The Guardian”, Roland Bull, i cili e njeh sistemin shëndetësor nga të dyja anët si mjek dhe si pacient, trajton pikërisht pyetjen se çfarë do të thotë kur një mjek konsulton Google-n gjatë kujdesit ndaj pacientit. Për të, kërkimi i informacionit nuk duhet parë automatikisht si shenjë e mungesës së njohurive, por si pjesë e një sistemi ku edhe profesionistët duhet të konsultojnë informacionin dhe të marrin vendime me kujdes.
Ndërkohë, përpos Google, profesori Bajraktari thotë se ekziston një perceptim se edhe përdorimi i IA-së mund të nënkuptojë mungesë njohurish nga ana e mjekut. Sipas tij, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë, për sa kohë teknologjia përdoret si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i ekspertizës.
“…Nëse përdoret si duhet, IA mund të jetë një mjet shtesë për të kontrolluar informacionin, për të krahasuar të dhënat ose për të kursyer kohë…”, tha ai.
Një studim i publikuar në “Journal of Medical Internet Research” ka testuar drejtpërdrejt se si ndikon përdorimi i IA-së në besimin e pacientëve te mjeku.
Studimi përfshiu 1,762 persona në ShBA, të cilëve iu paraqitën profile identike të mjekëve, por me ndryshime nëse mjeku përdorte IA për diagnozë apo jo. Rezultati ishte mjaft interesant: kur pjesëmarrësve u thuhej se mjeku përdorte IA për të ndihmuar në diagnozë, besimi te mjeku dhe gatishmëria për të kërkuar ndihmë mjekësore binin.
Po privatësia e pacientëve? A ka Kosova rregulla për përdorimin e IA-së nga mjekët?
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka deklaruar në vitin 2024 se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk e rregullon në mënyrë specifike inteligjencën artificiale, por korniza për mbrojtjen e të dhënave personale zbatohet edhe kur përdoren sisteme të IA.
AIP ka publikuar në prill 2025 një Udhëzues për Zyrtarët e Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Sektorin e Kujdesit Shëndetësor, i cili jep orientime për trajtimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme në institucionet shëndetësore.
Bajraktari e vendos në qendër të këtij diskutimi nevojën për verifikim, njohjen e kufizimeve të teknologjisë dhe mbi të gjitha, ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit.
Për të, përdorimi i IA-së duhet të udhëhiqet nga të njëjtat parime që qëndrojnë në themel të praktikës mjekësore: etika, siguria e pacientit dhe përgjegjësia profesionale.
Gjithashtu edhe mjeku Bojaj ka thënë se: “…Mjeku nuk duhet të fusë të dhëna të ndjeshme të pacientëve në ChatGPT, sepse kjo cenon privatësinë dhe sigurinë…”.
Por çështja e privatësisë nuk lidhet vetëm me faktin nëse emri i pacientit është futur apo jo në një sistem të IA-së. Sipas ekspertit Rizaj, edhe kur hiqen të dhënat identifikuese, kombinimi i disa të dhënave mund ta bëjë një pacient të dallueshëm.
“…Mosha, vendbanimi, data e vizitës dhe një gjendje e rrallë mund të mjaftojnë së bashku për ta identifikuar dikë. Edhe një abonim me pagesë nuk është garanci që sistemi është i përshtatshëm për të dhënat e pacientëve…”, thotë ai.
Sipas Rizaj, kjo kërkon rregulla dhe sisteme të miratuara nga institucioni.
Por përdorimi i IA-së në mjekësi pritet të zgjerohet edhe më tej. Sipas ekspertit të teknologjisë, në vitet e ardhshme ajo mund të bëhet pjesë e zakonshme e punës së përditshme, veçanërisht në dokumentacion, kërkim informacioni dhe mbështetje në analizë.
Kjo, megjithatë, do të kërkojë një aftësi të re nga profesionistët shëndetësorë: të dinë ta kontrollojnë sistemin dhe ta kundërshtojnë atë kur është e nevojshme. /Klankosova.tv




