Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fyerjet, etiketimet dhe kërcënimet ndaj Fidan Jupollit, autorit të emisionit satiriko-politik “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Përmes një reagimi publik, AGK-ja ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmet ndaj gazetarit, të cilat, sipas këtij asociacioni, kanë pasuar komentet dhe emisionet që lidhen me protestën në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe me krizën politike rreth zgjedhjes së presidentit.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me një sërë fyerjesh, sulmesh dhe kërcënimesh ndaj Fidan Jupollit, autor i emisionit satiriko-politik në Klan Kosova, DPT Te Fidani”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Këto sulme po ndodhin pas komenteve dhe emisioneve që lidhen me protestën për ish-krerët e UÇK-së në Prishtinë dhe krizën rreth zgjedhjes së Presidentit”.
“AGK-ja i dënon fuqishëm këto etiketime dhe e përkrah kolegun Jupolli në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për të denoncuar sulmet në drejtim të tij, të cilat e cenojnë edhe integritetin fizik të tij dhe të familjes së tij”.
AGK-ja ka ftuar “akterët politikë dhe përkrahësit e tyre që mospajtimet për çështjet e diskutimit të interesit publik të mos i kalojnë në kërcënime dhe dhunë”.




