Prishtina do të jetë nikoqire e simpoziumit ndërkombëtar “Kosovo Spatial Vision 2050”, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë do të diskutojnë për të ardhmen e qyteteve, zonave rurale dhe territorit të Kosovës.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë arkitektë, urbanistë, studiues, përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të diskutojnë mënyrat se si mund të planifikohen qytetet, peizazhet dhe territori i vendit për vitin 2050 dhe më tej.

Sipas njoftimit të ministrisë, diskutimet do të përqendrohen në planifikimin e qëndrueshëm urban dhe rural, mbrojtjen e natyrës, tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qyteteve e komuniteteve që janë më të përgatitura për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Qëllimi është që përmes planifikimit afatgjatë të krijohen kushte më të mira për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët.
Simpoziumi organizohet në kuadër të hartimit të Planit të ri Hapësinor të Kosovës dhe avancimit të reformave në fushat e planifikimit hapësinor, ndërtimit, banimit dhe mbrojtjes së natyrës.
Përmes kësaj nisme synohet të hapet diskutimi për drejtimin që duhet të marrë zhvillimi i territorit të Kosovës në dekadat e ardhshme, duke ndërthurur nevojat e urbanizimit me mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të hapësirës.
Burimi: RTKLive




