Erling Haaland mund të jetë një nga emrat më të mëdhenj që do të përfshihet në një lëvizje të bujshme nëse Manchester City përballet me një dënim të rëndë për shkeljet financiare.

Sulmuesi norvegjez ka nisur sezonin në formë të shkëlqyer, duke shënuar shtatë gola në gjashtë ndeshjet e para me Manchester Cityn.
Megjithatë, situata e krijuar rreth klubit anglez ka rikthyer në vëmendje të ardhmen e tij, me Real Madridin dhe Barcelonën që prej kohësh kanë shfaqur interes për të.
Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka folur për mundësinë që Haaland të luajë në Spanjë, duke theksuar se një skenar i tillë nuk duhet përjashtuar.
“Edhe para vendimit për Manchester Cityn, ajo që vazhdoj të them është se nuk do të më befasonte ta shihja Erling Haaland duke luajtur në Spanjë”.
“Si Real Madridi, ashtu edhe Barcelona janë përpjekur ta transferojnë Haalandin që kur ai ishte te Borussia Dortmundi. Mundësinë që Haaland të luajë në Spanjë nuk mund ta përjashtoj”, ka deklaruar Romano.
Megjithatë, italiani ka bërë të qartë se nuk pret një largim të menjëhershëm të norvegjezit nga Manchester City. Sipas tij, aktualisht nuk ka pasur kontakte apo negociata për një transferim të mundshëm.
“Sa i përket telefonatave, bisedave apo negociatave, asgjë nuk ka ndodhur ditët e fundit dhe asgjë nuk do të ndodhë në ditët e ardhshme. Haaland ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht respektues ndaj Manchester Cityt dhe ka nënshkruar një kontratë afatgjatë”, ka shtuar ai.
Vetë Haaland, ndërkohë, është shfaqur i qetë përballë situatës së vështirë që po kalon klubi.
Në një prononcim për mediat zyrtare të Manchester Cityt, ai ka bërë thirrje që skuadra të fokusohet te rezultatet në fushë.
“Duhet të qëndrojmë pozitivë, të shikojmë përpara dhe të përpiqemi të fitojmë ndeshjet e futbollit”, është shprehur Haaland. /Telegrafi/




