Të paktën 52 gra janë arrestuar ose ndaluar në qytetet afgane Herat dhe Kabul gjatë periudhës korrik-shtator 2026, ka bërë të ditur të enjten Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).
Sipas UNAMA-s, gratë janë ndaluar për arsye që lidhen me veshjen, përfshirë mosmbajtjen e çadorit, flokët e dukshëm, shamitë me ngjyra ose përdorimin e grimit. Disa janë ndaluar edhe për shkak se kanë qenë në publik pa një “mahram”, një shoqërues mashkull.

UNAMA tha se gratë u liruan pas disa orësh, por paralajmëroi se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë për shkak të raportimit të pamjaftueshëm.
Misioni i OKB-së u shpreh “thellësisht i shqetësuar” për arrestimet dhe kërcënimet ndaj grave, duke theksuar se këto masa cenojnë të drejtat e tyre për lëvizje, shprehje dhe autonomi.
Që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021, gratë dhe vajzat në Afganistan janë përballur me kufizime të rënda, përfshirë ndalimin e arsimimit përtej nivelit fillor dhe kufizime në veshje dhe lëvizje.
Në fillim të kësaj jave, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi katër urdhër-arreste për zyrtarë të lartë talebanë, të dyshuar për krime kundër njerëzimit të lidhura me privimin sistematik të grave dhe vajzave nga të drejtat e tyre.
Burimi: Dukagjini




