Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik.
OVL-UÇK ka thënë se deri më tani nuk është bërë publike ndonjë analizë juridike që do të argumentonte se ndryshimet e miratuara janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Reagimet e ditëve të fundit ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, janë sa të nxituara, aq edhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë analizë apo studim i mirëfilltë juridik që argumenton se këto ndryshime janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në vend të argumenteve juridike, opinioni publik është përballur kryesisht me polemika, interpretime të njëanshme dhe qëndrime politike, të cilat nuk mund të trajtohen si përfundime të pakontestueshme”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Kjo organizatë ka thënë se nuk dëshiron të besojë se reagimet e fundit kanë për qëllim shkurajimin e qytetarëve që kanë protestuar për drejtësi.
“Refuzojmë të besojmë se pas këtyre reagimeve qëndron një përpjekje e qëllimshme për të shkurajuar qytetarët që, natë pas nate e ditë pas dite, protestuan me dinjitet dhe shpresë për drejtësi. Megjithatë, mënyra dhe koha e këtyre reagimeve krijojnë pikërisht këtë përshtypje”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka deklaruar se kategoritë e dala nga lufta besojnë se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për funksionimin e Dhomave të Specializuara në përputhje me standardet juridike.
“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë, duke kërkuar respektimin e standardeve juridike dhe të parimeve mbi të cilat duhet të mbështetet çdo institucion i drejtësisë”, thuhet më tej.
Sipas OVL-UÇK-së, pretendimet për pasoja të mundshme juridike duhet të shoqërohen me argumente konkrete dhe jo vetëm me deklarime politike.
“Spekulimet mbi pasojat e mundshme juridike nuk mund të zëvendësojnë analizën profesionale dhe as të përdoren për ta zhvlerësuar një nismë legjitime institucionale. Kushdo që pretendon të kundërtën, ka përgjegjësinë ta argumentojë qëndrimin e vet me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, jo me deklarime politike”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka theksuar se Kosova ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, por kjo, sipas tyre, nuk nënkupton heqjen dorë nga kërkesa për drejtësi të paanshme.
“Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, edhe kur kjo ka kërkuar vendime jashtëzakonisht të vështira. Por ky bashkëpunim nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi të paanshme, përgjegjshmëri institucionale dhe respekt për dinjitetin e luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.
Organizata ka thënë se shpresa e qytetarëve për drejtësi duhet të marrë përgjigje të argumentuara.
“Shpresa e qytetarëve për drejtësi meriton përgjigje të argumentuara, jo përpjekje për ta relativizuar apo shuar atë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
The post OVL-UÇK: Reagimet kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen janë të nxituara dhe të pabazuara appeared first on Insajderi.




