Bashkimi Evropian ka shtyrë votimin për një marrëveshje që parasheh zbutjen e mëtejshme të kufizimeve për shitjen e automjeteve të reja me benzinë dhe naftë nga viti 2035.

Partia Popullore Evropiane (EPP), grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, kërkon që objektivi për uljen e emetimeve të CO2 nga industria e automjeteve deri në vitin 2035 të jetë 80 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2021.
Aktualisht, objektivi i përcaktuar është ulja e emetimeve me 90 për qind. Ndërkaq, para dhjetorit të vitit 2025, objektivi ishte 100 për qind, që në praktikë do të nënkuptonte ndalimin e plotë të shitjes së automjeteve të reja me motorë me benzinë ose naftë.
Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, votimi i ri në Komitetin për Transportin është shtyrë.
Pas marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit 2025, Komisioni Evropian kishte deklaruar se priste që një pjesë e konsiderueshme e automjeteve të reja deri në vitin 2035 të mund të pajiseshin me motorë me djegie të brendshme.
Megjithatë, disa anëtarë të EPP-së kërkojnë lehtësim edhe më të madh. Deputeti i këtij grupi dhe anëtar i Komitetit për Transportin, Jens Gieseke, ka thënë për “Der Spiegel” se synojnë që ulja e emetimeve të jetë 80 për qind krahasuar me nivelin e vitit 2021.
Në praktikë, një ndryshim i tillë do të mundësonte praninë e një numri më të madh të automjeteve me motorë me djegie të brendshme në rrugët evropiane.
Mbështetësit e propozimit argumentojnë se deri në vitin 2035 mund të jenë zhvilluar lëndë djegëse dhe materiale më miqësore me klimën, duke krijuar më shumë mundësi për përdorimin e motorëve me djegie të brendshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post BE-ja shtyn votimin për ndalimin e veturave me benzinë e naftë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




