Serbia sërish ka kërcënuar Republikën e Kosovës.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Serbia po planifikon ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër brenda territorit të saj.
Deklaratën e dhënë para mediave serbe, Vuçiq e ka lidhur me pretendimet e tij, për siç e quan, “keqtrajtim” të serbëve në Kosovë.
Por në Prishtinë, kjo nuk po shihet si një çështje thjesht teknike.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që kjo deklaratë sipas saj kërcënuese, duhet të marrë vëmendjen e diplomatëve dhe të përcillet në kryeqytetet ku ata shërbejnë.
Albulena Haxhiu, u.d. e presidentes së Kosovës, ka deklaruar se “Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Ksoovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”.
Por çfarë parashikon e drejta ndërkombëtare për ujërat që kalojnë kufijtë shtetërorë?
Gurakuç Kuçi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare deklaroi “Sipas të drejtës ndërkombëtare shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare…”
Gjatë së dielës, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, deklaroi se resurset ujore nuk mund të shndërrohen në instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër.
Pacolli ka rikujtuar se Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike për Kosovën.

