Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
BE-ja, në një reagim zyrtar thekson se, sipas Kushtetutës, Kosova është një shoqëri shumetnike e bazuar në sundimin e ligjit dhe se sistemi i drejtësisë duhet të pasqyrojë këtë diversitet etnik, njofton Dukagjini.
“BE në vazhdimësi ka bërë thirrje që Kosova të mundësojë ri-integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë në linjë me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagim.
BE-ja rikujton se më 15 korrik mirëpriti tërheqjen e dorëheqjeve nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës, duke përsëritur thirrjen që të mundësohet riintegrimi i tyre në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
Megjithatë, Brukseli shprehet i shqetësuar për vendimin e KPK-së për të pranuar dorëheqjet që, sipas BE-së, tashmë ishin tërhequr, si dhe për vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes për dekretimin e tyre.
Sipas BE-së, këto veprime duket se nuk janë në përputhje me ligjin, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në fund, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Haxhiu nënshkruan dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë pas vendimit të KPK-së

