Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim për dëmet e mëdha të shkaktuara në sektorin e bujqësisë si pasojë e reshjeve të breshërit në disa zona të vendit.
Në një reagim, Lidhja e Bizneseve ka theksuar se dëmet kanë prekur rëndë fermerët, prodhuesit vendorë dhe ekonominë familjare të shumë qytetarëve, duke kërkuar reagim të shpejtë nga institucionet, njofton Dukagjini.
Sipas kësaj organizate, bujqësia është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe çdo dëmtim në këtë sektor kërkon ndërhyrje konkrete.
Lidhja e Bizneseve u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe Qeverisë së Kosovës që të angazhohen menjëherë në terren për vlerësimin e dëmeve, të krijojnë komisione profesionale për evidentimin e pasojave dhe të ndërmarrin masa për mbështetjen financiare të fermerëve të prekur.
“Fermerët nuk kanë nevojë për deklarata politike, fotografi në terren apo garë mediatike se kush po shfaqet më shumë para kamerave. Ata kanë nevojë për mbështetje reale, kompensim të dëmeve dhe veprime konkrete institucionale”, thuhet në reagimin e LBK-së.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar që institucionet të ndajnë mjetet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë fermerëve që kanë humbur investimet dhe punën e një viti të tërë.
Sipas tyre, mbështetja ndaj bujqësisë nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, por duhet të shndërrohet në veprime konkrete për mbrojtjen e prodhuesve vendorë.

