Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, ka bërë të ditur se aksioni i sotëm për rrënimin e 11 objekteve në zonën e liqenit të Ujmanit është pjesë e një procesi për kthimin e kontrollit mbi pronat e ndërmarrjes.
Mujka, në një linjë telefonike direkt në “FIVE” në Dukagjin, tha se objektet e rrënuara dyshohet se janë ndërtuar pa leje në prona të uzurpuara të “Ibër Lepencit”, duke theksuar se aksione të tilla kishin nisur rreth dy muaj më parë në një fshat tjetër, ku ishin rrënuar edhe pesë vila të tjera.
Sipas tij, “Ibër Lepenci” ka kërkuar nga institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Inspektoratin, ndërmarrjen e masave për kthimin e pronave në gjendjen e mëparshme.
“Ne këtë aksion e kemi filluar dy muaj më herët në fshatin Qerqev me pesë vilat e para të cilat po ashtu kanë qenë të ndërtuara në pronën e uzurpuar nga “Ibër Lepenci” edhe atëherë edhe tani u kemi treguar lajmërimin banorëve që ta lirojnë pronën e uzurpuar sepse tani e dini që liqeni i Ujmanit dhe mali i Moknës me ligj janë zonë e posaçme në mbrojtje dhe pos kësaj e dini që uji i Ujmanit është edhe ujë i pijes andaj ne jemi përgjegjës për ujë për mbi 600 mijë banorë të Republikës së Kosovës për 9 komuna. Prandaj ka qenë më se e domosdoshme që “Ibër Lepenci” ta kthej kontrollin në të gjitha pronat e saj pra të gjitha ato që i kemi identifikuar kemi kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Inspektoratit që të ndërmarrin masat dhe të kthehen në gjendjen e mëhershme”, u shpreh Mujka.
Ai bëri të ditur se javën e kaluar është zhvilluar një takim në Komunën e Zubin Potokut me zyrtarë komunalë dhe banorë apo pronarë të pretenduar të vilave, të cilët, sipas tij, kanë qenë të vetëdijshëm se objektet nuk ishin ndërtuar në tokën e tyre.
Tutje, Mujka bëri të ditur se disa prej tyre kanë kërkuar mundësinë e pagesës së qirasë ndaj “Ibër Lepencit”, por kjo, sipas tij, nuk është opsion.
“Javën e kaluar kemi pasur edhe një takim në komunën e zubin Potokut me zyrtarët dhe banorë ose pronarët e ashtuquajtur të këtyre vilave të cilët kanë qenë të vetëdijshëm se këto vila nuk janë në tokë të tyre por kanë kërkuar për mundësinë e pagesës së ndonjë qiraje me “Ibër Lepencin” dhe normal që kjo nuk vjen në konsideratë pasi të gjitha pronat e “Ibër Lepencit” merren nëpërmjet një ankandi dhe sidomos me liqenin e Ujamanit nuk duam që të ketë asgjë për rreth përveç “Ibër Lepencit”, u shpreh Mujka.
Mes tjerash, Mujka u shpreh se këto vila ishin ndërtuar nga Lista Serbe si shpërblim për personat që i kanë shërbyer kësaj liste gjatë viteve të kaluara.
“Nga terreni kam dëgjuar se këto vila janë ndëruar nga Lista Serbe si shpërblim për personat që i kanë shërbyer Listës Serbe gjatë viteve të kaluara – kanë qenë të ndërtuara me para të Listës Serbe”, tha ai.
Mujka, mes tjerash, bëri të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmën derisa të kthehet secila pronë që i takon Ibër Lepencit.

