Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka kritikuar zvarritjen e procesit të konstituimit të institucioneve të reja, duke thënë se deri tani është dashur të dihen emrat e drejtuesve të institucioneve kryesore, përfshirë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe presidentin.
Rrahmani, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se nëse do të kishte vullnet politik, procesi i konstituimit do të duhej të kishte përfunduar deri më tani, ndërsa ka akuzuar pushtetin aktual se po e zgjat situatën për të vazhduar mënyrën e qeverisjes së deritanishme.
“Mendoj që konstituimi i institucioneve nëse kanë vullnet dhe dëshirë do të duhej të bëhej e të paktën deri tani të diheshin emrat për secilin institucion kryeministër, kryeparlamentar e edhe president pasi çdo hap tjetër është më shumë veprim për të shkuar në zgjedhje dhe për të shkuar në zgjedhje dhe për të zgjatur këtë mënyrë qeverisjeje që ka zgjedhur ky pushtet tash e më shumë se 1 vit. Besoj që kur të fillojë konstituimi i Kuvendit duhet të zgjidhet edhe Presidenti edhe Qeveria – por nuk po shihet ndonjë vullnet i këtij pushteti. Unë e di që është interes i tij pasi ka kontroll të plotë dhe nuk ka asnjë llogaridhënie – për këtë besoj se po vepron në këtë mënyrë pasi ka marrë atë që ka dashur kontroll të plotë të të gjitha institucioneve me nënshtrim të plotë të personave ndaj tij. E ka kapur secilin institucion të Kosovës teksa është parë se për 6 vjet asnjë përparim nuk kemi pasur. Shpresoj që t’i thirr ndërgjegjes dhe të konstituojë Kuvendin e aty pastaj duhet të japë llogari”, u shpreh Rrahmani.
Rrahmani ka kritikuar edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo po i kryen detyrat sipas përcaktimeve të kryetarit të partisë së saj duke mos thirrur seancën konstituive.
“Absolutisht Haxhiu kryen detyrat që i përcaktohen nga kryetari i partisë që ka edhe si ushtruese e detyrës së presidentes – po të kishte vullnet një rrugë tjetër të dobishme për vendin në kohën kur janë ditur rezultatet e mandatet kryeministri ka kryer pushime ideologjike në Greqi, çështjet e diskutimet me partitë tjera janë prioriteti i tretë pasi që institucionet i ka kapur dhe po vazhdon ashtu”, u shpreh Rrahmani.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka kritikuar edhe rolin e opozitës, duke thënë se ajo duhet të jetë më aktive dhe të kundërshtojë, siç e quajti ai, “kapjen e institucioneve”.
“Besoj që hapi i parë që kjo opozitë është dashtë me bë është që ditën që Kurti është kthyer nga pushimet ideologjike në Greqi ish dashtë me pritë në rrugë dhe mos me leju me protesta demokratike që të bëhet pjesë e këtij skenari siç po vepron tash – kështu nuk veprohet si opozitë pasi vetëm po i hapet rrugë për mua është shqetësuese se si partitë opozitare kanë arritur një komoditet dhe po e shohin qeverisjen e Kurtit nga televizioni. Duhet me dalë në rrugë e në institucionet që i ka kapur”, u shpreh Rrahmani.

