Trump e quajti Putinin “mik”, ndërsa FBI zbulon operacionin e dyshuar rus të spiunazhit në SHBA

Trump e quajti Putinin “mik”, ndërsa FBI zbulon operacionin e dyshuar rus të spiunazhit në SHBA

Trump e quajti Putinin “mik”, ndërsa FBI zbulon operacionin e dyshuar rus të spiunazhit në SHBA

Një shtetas rus 25-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për spiunazh në favor të Moskës.

Sponsor 3M Express

Objektivi ishte kompania amerikane Palantir, e cila mbështet Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Një operacion i dyshuar spiunazhi rus në zemër të Silicon Valley, që konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të teknologjisë dhe inovacionit në botë, ka vënë në lëvizje FBI-në dhe kundërzbulimin amerikan.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj shtetasit rus Igor D’Iu, 25 vjeç, i dyshuar se ishte rekrutuar, financuar dhe drejtuar nga shërbimet ruse për të mbikëqyrur punonjësit e një kompanie amerikane të teknologjisë dhe mbrojtjes.

Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, kompania në shënjestër ishte Palantir, megjithëse emri i saj nuk përmendet në aktakuzën zyrtare të Departamentit të Drejtësisë.

D’Iu akuzohet për komplot dhe spiunazh, veprimtari si agjent i një qeverie të huaj, përndjekje ndërmjet shteteve amerikane dhe mashtrim me dokumente identiteti.

Sipas hetuesve, misioni i tij ishte mbledhja e informacioneve mbi punonjësit e kompanisë, përmes përgjimeve fizike, pajisjeve elektronike të gjurmimit dhe identiteteve të falsifikuara.

Operacioni nisi përmes Telegramit

D’Iu, me origjinë nga Kamçatka, i cili më parë mbante mbiemrin Golodnyuk, dyshohet se hyri ilegalisht në Shtetet e Bashkuara gjatë verës së vitit 2026, pasi ishte rekrutuar nga persona të lidhur me Rusinë përmes platformës Telegram.

Sipas deklaratës së betimit të paraqitur në gjykatë, ai merrte udhëzime, pajisje dhe mbështetje financiare nga personat që e drejtonin. Ata i kishin shpjeguar se operacioni i shërbente interesave të “Atdheut”, duke e urdhëruar të mblidhte informacione mbi kompaninë amerikane, për shkak të mbështetjes së saj ndaj Ukrainës.

Në qershor 2026, D’Iu ndodhej në Stamboll, prej nga udhëtoi drejt Meksikës. Atje, sipas hetimeve, persona të lidhur me Rusinë e vunë në kontakt me një agjent që e ndihmoi të kalonte kufirin drejt Shteteve të Bashkuara.

Pasi hyri në territorin amerikan, ai bleu kompjuterë portativë, telefona celularë, pajisje për rrjete wireless dhe programe për akses në distancë.

Kompjutera të vendosur pranë zyrave të Palantir

Një nga metodat e përdorura ishte vendosja e kompjuterëve në pika të caktuara pranë selisë së kompanisë në Palo Alto. Sipas hetuesve, personat që e drejtonin nga Rusia mund të hynin në këto pajisje në distancë dhe të përpiqeshin të merrnin informacione nga punonjësit që ndodheshin në afërsi.

D’Iu dyshohet gjithashtu se fotografonte ekranet e punonjësve nga një lokal në Palo Alto, si dhe ndiqte punonjësit dhe mbikëqyrte banesat e tyre.

Ai kishte arritur të identifikonte adresat e shtëpive të disa punonjësve, përfshirë edhe atë të një drejtuesi të lartë të kompanisë.

Operacioni u zbulua më 3 shtator, kur i dyshuari ndoqi në mënyrë agresive një punonjëse që udhëtonte me një automjet Lexus SUV ngjyrë argjendi. Ai e ndoqi për afro 30 milje, nga Palo Alto në drejtim të San Franciskos.

Gruaja tentoi t’i shpëtonte ndjekjes dhe më pas njoftoi policinë e San Franciskos. Ky incident shërbeu si pikënisje për hetimin që çoi në zbulimin e dyshuar të operacionit rus.

Dokumente false dhe mijëra dollarë në banesë

Gjatë kontrollit në rezidencën e tij në East Palo Alto, FBI-ja gjeti rreth 18 mijë dollarë cash, dy kompjuterë portativë, dy iPhone, dy pasaporta ruse, pajisje për krijimin e rrjeteve wireless dhe dokumente identiteti të falsifikuara.

Mes tyre ishte një kartë identiteti e falsifikuar e Kalifornisë, një kartë e Sigurimeve Shoqërore me emrin “Hugo Landry Johns” dhe një pasaportë amerikane e ndryshuar.

Sipas hetuesve, pasaporta ishte një dokument autentik, i lëshuar fillimisht për një person tjetër. Ajo ishte modifikuar duke vendosur fotografinë e D’Iu dhe një identitet të rremë.

Hetuesit gjetën gjithashtu një bllok të zi shënimesh me dhjetë adresa të shkruara me dorë, shumë prej të cilave u përkisnin punonjësve të Palantir.

Tre prej tyre ishin profilizuar në mënyrë të detajuar. Dosjet përmbanin të dhëna personale, emrat e familjarëve, pozicionet e punës, formimin akademik, historikun profesional dhe vlerësime mbi pikat e forta dhe të dobëta të secilit.

Paralajmërimi i autoriteteve amerikane

Prokurori federal për Kaliforninë, Craig H. Missakian, deklaroi se operacioni dyshohet të jetë sponsorizuar nga një shtet i huaj dhe kishte si objektiv intimidimin dhe përndjekjen e punonjësve të një kompanie amerikane për shkak të mbështetjes së saj ndaj Ukrainës.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë përpjekje, nga qeveritë e huaja apo aktorë të tjerë, për ta kthyer Silicon Valley në një bazë për operacione të huaja inteligjence”, deklaroi Missakian.

Edhe FBI-ja paralajmëroi se Rusia mund të përdorë agjentë të kamufluar dhe ndërmjetës kriminalë për të siguruar avantazhe në luftën kundër Ukrainës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Tensione në Kuvend, Kurti përplaset me Bajramin e Rrahmanin – Haxhiu ia ndalon fjalën deputetit të PDK-së

Tensione në Kuvend, Kurti përplaset me Bajramin e Rrahmanin – Haxhiu ia ndalon fjalën deputetit të PDK-së

McGregor befason 400 punonjësit, u jep një ditë pushim për të luajtur GTA 6

McGregor befason 400 punonjësit, u jep një ditë pushim për të luajtur GTA 6

Gjiganti saudit rikthehet për Zhegrovën, gati 15 milionë euro

Gjiganti saudit rikthehet për Zhegrovën, gati 15 milionë euro