Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 është duke u rrezikuar për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, Kurti tha se libri me të cilin Kosova kishte aplikuar për organizimin e këtyre lojërave nuk është në përputhje me draftin e master-planit që u është prezantuar institucioneve.
Ai theksoi se mungesa e unitetit dhe publikimi i mospajtimeve të brendshme në opinion po e vështirësojnë procesin.
“ Kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë kur po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por jam optimist i përmbajtur”, deklaroi Kurti.
Kryeministri tha se bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë i mirë, por jo edhe me Komunën e Prishtinës.
Sipas tij, drafti i master-planit ka devijuar nga projekti fillestar me të cilin Kosova kishte aplikuar, duke përjashtuar plotësisht rrafshin e Dukagjinit.
Kurti tha se është kundër këtij ndryshimi dhe se mospajtimet janë diskutuar edhe në mbledhjen e Komitetit Organizativ, ku sipas tij, me shumicë votash është vendosur që drafti të korrigjohet.
Ai përmendi edhe organizimin e garave të xhudos, duke kundërshtuar mundësinë që ato të mbahen në Prishtinë dhe jo në Pejë, siç ishte paraparë në projektin fillestar.
“S’mund ta paramendoj që garat për xhudo të mos mbahen në Pejë. Ato janë paraparë me u mbajt në Prishtinë. Është e padrejtë. Këtu janë mospajtimet që i kemi. Pesë milionë euro i kemi investuar për xhudo në Pejë dhe tash na u dashka që garat për xhudon të mbahen në Prishtinë. Kjo është absurditet”, tha Kurti.
Ai shtoi se pret që debatet të zhvillohen brenda institucioneve dhe se vendimet e marra me shumicë votash të respektohen nga të gjithë.
Megjithatë, Kurti tha se pavarësisht situatës, mbetet optimist për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Burimi: Insajderi





