Kompanitë polake që morën pjesë në Forumin Ekonomik në Prishtinë kanë mbetur të befasuara pozitivisht nga potenciali ekonomik i Kosovës, ndërsa kanë shprehur dëshirën që të rikthehen sërish në vend. Kështu ka deklaruar ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, në një intervistë për Radio Kosovën, ku ka folur për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Gashi ka bërë të ditur se përfaqësuesit e bizneseve polake kanë vlerësuar se vizita në Kosovë ka tejkaluar dukshëm pritjet e tyre. Sipas tij, Polonia është partneri i katërt më i madh tregtar i Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa synimi është që shkëmbimet ekzistuese ekonomike të zhvillohen më tej dhe të konkretizohen në partneritete e investime të reja.
Forumi Ekonomik ishte përqendruar në digjitalizimin dhe ekonominë digjitale, teknologjitë e mbrojtjes dhe sigurinë kibernetike, si dhe infrastrukturën, energjinë dhe prodhimin e teknologjive të avancuara. Ambasadori ka folur gjithashtu për mundësitë e bizneseve kosovare në tregun polak dhe për rëndësinë e shkëmbimeve kulturore e artistike ndërmjet dy vendeve.
Në intervistën për Radio Kosovën, Gashi ka vlerësuar se potenciali për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Polonisë është shumë i madh, transmeton Telegrafi.
“Besoj se potenciali është shumë i madh. Polonia është një treg i rëndësishëm dhe një ndër 20 ekonomitë më të mëdha në botë. Ajo ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik, duke kaluar nga një vend relativisht i varfër, pas periudhës së dominimit sovjetik, në një ekonomi me zhvillim dhe dinamizëm të lartë”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se Kosova importon nga Polonia mallra në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh, ndërsa në sektorin e shërbimeve eksporton rreth 23 milionë euro dhe importon rreth 18 milionë euro.
“Prandaj, synimi ynë është që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tej”, ka theksuar ambasadori.
Duke folur për interesimin e kompanive polake për tregun e Kosovës, Gashi ka thënë se në forum kanë marrë pjesë 14 përfaqësues nga Polonia, përfshirë përfaqësues të dhjetë kompanive dhe disa institucioneve. Për të gjithë ata, kjo ishte një përvojë e re, pasi Kosovën po e vizitonin për herë të parë.
“Besoj se ekziston interesim dhe kureshtje, por duhet ta pranojmë se bizneset polake ende nuk e njohin mjaftueshëm Kosovën”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas ambasadorit, përshtypjet e kompanive polake pas vizitës në Kosovë kanë qenë shumë pozitive.
“Polakët kanë një qasje shumë të drejtpërdrejtë dhe e shprehen hapur nëse kanë interesim real apo jo. Ata na kanë thënë se forumi, takimet me kompanitë dhe prezantimet e kryeministrit, ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë i kanë tejkaluar dukshëm pritjet e tyre.
Kanë theksuar se Kosova u ka lënë përshtypje shumë më të mira sesa kishin pritur dhe dëshirojnë të rikthehen sërish në Kosovë”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se tani është e rëndësishme që kontaktet e krijuara të ruhen dhe të zhvillohen, në mënyrë që të shndërrohen në bashkëpunime konkrete, përcjell Telegrafi.
“Natyrisht, tani duhet të vazhdojmë punën përmes misionit tonë diplomatik, në mënyrë që këto kontakte të ruhen, të zhvillohen dhe të shndërrohen në bashkëpunime të qëndrueshme”, ka thënë ai.
Gashi ka bërë të ditur se synojnë organizimin e një forumi tjetër ekonomik, mundësisht sërish në Prishtinë, me qëllim të vazhdimit të shkëmbimeve dhe kontakteve ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.
Sa u përket mundësive të bizneseve kosovare në tregun polak, ambasadori ka thënë se tashmë kanë filluar të krijohen kontakte dhe bashkëpunime, por sfida kryesore mbetet konkretizimi i tyre.
“Ne dëshirojmë t’u krijojmë mundësi konkrete kompanive tona për të bashkëpunuar me bizneset polake.
Synojmë të ndërtojmë lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive, të forcojmë bashkëpunimin me odat ekonomike të të dyja vendeve, të cilat po e mbështesin këtë proces, si dhe të identifikojmë interesat e përbashkëta që mund të shndërrohen në projekte konkrete ekonomike”, ka deklaruar Gashi.
Në intervistë, ambasadori është ndalur edhe te promovimi i kulturës kosovare në Poloni, duke thënë se përmes shkëmbimeve të deritanishme janë krijuar ura bashkëpunimi dhe është dëshmuar potenciali kulturor i Kosovës.
“Kemi krijuar lidhje të rëndësishme edhe në këtë fushë. Sukseset e artistëve tanë flasin vetë dhe dëshmojnë për potencialin e madh kulturor që ka vendi ynë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shprehur shpresën që arti dhe kultura të bëhen një tjetër fushë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Polonisë./Telegrafi/





