Të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Australi ose planifikojnë të emigrojnë atje për punë duhet të kenë parasysh ndryshimet e reja në programin australian të vizave Working Holiday, pasi qeveria ka rishikuar kushtet për qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj.

Sipas televizionit publik australian ABC, ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, ka tërhequr pjesërisht planin fillestar për kufizimin e vizave, duke rritur nga 5 mijë në 25 mijë numrin e lejeve për vitin e tretë të qëndrimit përmes këtij programi.
Vendimi erdhi pas kundërshtimeve nga bizneset australiane, veçanërisht ato në bujqësi, turizëm dhe hoteleri, të cilat varen nga punëtorët e huaj.
Për shqiptarët që synojnë të shfrytëzojnë këtë mundësi, është e rëndësishme të dinë se rregullat e reja parashohin ndryshime në kohëzgjatjen e punës së detyrueshme në zonat rajonale.
Për aplikimin për vizën e dytë, kërkesa do të rritet nga 88 në 120 ditë pune.
Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi më 1 mars 2027, ndërsa sistemi i ri i përzgjedhjes së aplikuesve është shtyrë deri në të njëjtën periudhë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, duhet theksuar se programi Working Holiday nuk është automatikisht i hapur për shtetasit shqiptarë.
E drejta për aplikim varet nga shtetësia dhe marrëveshjet që Australia ka me vendet përkatëse.
Prandaj, shqiptarët me shtetësi të dyfishtë duhet të kontrollojnë nëse pasaporta tjetër u jep të drejtën për këtë vizë.
Ndryshimet e reja janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë së kryeministrit Anthony Albanese për të menaxhuar migracionin, duke ruajtur njëkohësisht fuqinë punëtore në sektorët që varen nga punëtorët e huaj./Telegrafi/





