Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në selinë e NATO-s në Bruksel, ku është pritur në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar takimin si veçanërisht të rëndësishëm, duke vlerësuar qëndrimin e Ruttes ndaj zhvillimeve dhe dinamikave të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, gjatë bashkëbisedimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka shprehur vlerësime për ecurinë dhe transformimin e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si dhe për përkushtimin e vendit në përmbushjen e detyrimeve dhe standardeve të Aleancës.
Rama ka bërë të ditur se në fokus të bisedimeve ishte zhvillimi i sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe angazhimi i vendit për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”, ka shkruar Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




