Nga Presheva në Gjermani, Doruntin Shabani doktoron në Fizikë Bërthamore: Shkenca nuk njeh kufij, vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona

Nga Presheva në Gjermani, Doruntin Shabani doktoron në Fizikë Bërthamore: Shkenca nuk njeh kufij, vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona

Nga Presheva në Gjermani, Doruntin Shabani doktoron në Fizikë Bërthamore: Shkenca nuk njeh kufij, vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona

Doruntin Shabani ka përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e Fizikës Bërthamore në Gjermani, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tij akademik dhe profesional.

Sponsor 3M Express

I nisur nga shkollimi në Preshevë dhe Kosovë, e më pas i vazhduar në Universitetin Teknik të Stambollit dhe në Gjermani, rrugëtimi i tij dëshmon se përkushtimi dhe kureshtja shkencore mund të çojnë drejt arritjeve të mëdha.

Në një intervistë për Telegrafin, Shabani rrëfen rrugën që e çoi drejt Gjermanisë, sfidat e studimeve jashtë vendit dhe përvojën e kalimit nga Inxhinieria Kimike në fushën e Fizikës Bërthamore.

Ai tregon se një nga shtysat kryesore për këtë drejtim ishte dëshira për të kuptuar fenomenet fizike, ndërsa gjatë doktoraturës u angazhua në një projekt kërkimor për zhvillimin dhe optimizimin e sistemeve bërthamore për prodhimin e molibdenit-99, izotop që përdoret në përgatitjen e tekneciumit-99m për diagnostikimin mjekësor.

Shabani kujton se fillimi i studimeve në Gjermani, në mars të vitit 2020, përkoi me shpërthimin e pandemisë COVID-19. Përveç sfidave akademike, ai u përball edhe me vështirësi financiare, duke punuar me orar të pjesshëm krahas studimeve të masterit.

Po ashtu, Doruntini mbështetjen e familjes, bashkëshortes, dhe dajës së tij, e cilëson vendimtare në realizimin e këtij synimi.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Kur keni shkuar në Gjermani, si erdhi ideja që të studioni atje?

Doruntin Shabani: Ideja për të studiuar në Gjermani më ka lindur gjatë viteve të fundit të studimeve bachelor në Universitetin Teknik të Stambollit (Istanbul Technical University), ku studioja Inxhinieri Kimike. Gjermania ka një histori të gjatë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e fizikës moderne dhe asaj bërthamore, ku janë bërë edhe disa nga zbulimet më të rëndësishme të kësaj fushe. Për këtë arsye, e shihja Gjermaninë si vendin e duhur për të thelluar njohuritë e mia dhe për t’u marrë me fushën që më interesonte.

Gjatë vitit të fundit të studimeve në Turqi, në kuadër të një lënde që ligjërohej nga një profesoreshë me prejardhje shqiptare, patëm mundësinë të vizitonim një reaktor të vogël bërthamor që ndodhet në universitet dhe përdoret për qëllime studimore e kërkimore. Edhe pse kureshtja ime për fizikën bërthamore kishte filluar shumë më herët, kjo vizitë ma shtoi edhe më shumë interesimin dhe dëshirën për t’u marrë drejtpërdrejt me këtë fushë.

Një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e këtij synimi ka pasur edhe bashkëshortja ime. Ishte ajo që e gjeti programin e masterit në Fachhochschule Aachen, kontaktoi universitetin për t’u informuar rreth kushteve dhe procedurave të pranimit dhe më tregoi për mundësinë e aplikimit. Pas kësaj, aplikova dhe u pranova në programin e masterit për Aplikime Bërthamore, me fokus në Teknologjinë Bërthamore.

Në Gjermani erdha në mars të vitit 2020, për të filluar një etapë të re të rrugëtimit tim akademik.

Telegrafi: Cilat kanë qenë vështirësitë e para për të studiuar atje, duke nisur që nga gjuha, aplikimi, pranimi në fakultet, pastaj, aspekti financiar?

Doruntin Shabani: Vështirësitë e para kanë qenë kryesisht të natyrës financiare dhe akademike. Sa i përket gjuhës, studimet e masterit zhvilloheshin në anglisht, prandaj kjo nuk përbënte ndonjë pengesë për mua.

Një nga sfidat më të mëdha akademike ishte ndryshimi i drejtimit të studimeve. Duke qenë se bachelorin e kisha përfunduar në Inxhinieri Kimike, kalimi në një fushë më të orientuar drejt fizikës bërthamore kërkonte shumë punë shtesë. Më duhej të përvetësoja njohuri që studentët e tjerë i kishin fituar gjatë studimeve të mëparshme. Kjo nënkuptonte se shpesh më duhej të punoja më shumë për të arritur nivelin e kërkuar, por dëshira për ta studiuar këtë fushë më motivonte të vazhdoja.

Një vështirësi tjetër ishte pandemia COVID-19, e cila filloi pikërisht në periudhën kur erdha në Gjermani. Kjo ndikoi në zhvillimin e studimeve, në jetën universitare dhe në mundësitë për t’u integruar në një mjedis të ri.

Sa i përket aspektit financiar, ardhja në Gjermani kërkonte sigurimin paraprak të mjeteve financiare. Në këtë drejtim, një ndihmë shumë të rëndësishme më ka dhënë daja im, të cilin dua ta falënderoj edhe publikisht për mbështetjen. Pa ndihmën e tij, realizimi i këtij hapi do të kishte qenë shumë më i vështirë, prandaj do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Gjatë gjithë periudhës së studimeve të masterit kam punuar edhe me orar të pjesshëm, krahas angazhimeve akademike. Edhe pse puna nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me fushën time të studimeve, ajo ishte një përvojë e vlefshme për mua. Kombinimi i punës me studimet nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, por më ka ndihmuar të zhvillohem edhe në aspektin personal.

Gjatë doktoraturës, situata ishte ndryshe. Në Gjermani, disa pozita doktorature janë të paguara, ashtu siç ishte edhe rasti im. Kjo më mundësoi t’i përkushtohesha më shumë punës kërkimore pa pasur të njëjtat shqetësime që kisha gjatë masterit.

Telegrafi: A je ndjerë ndonjëherë i ofenduar në baza racore si student, apo, racizmi nuk është fare në fjalorin e studentëve gjerman?

Doruntin Shabani: Personalisht, gjatë studimeve dhe punës sime në Gjermani nuk jam përballur me diskriminim. Përkundrazi, përvojat e mia me profesorët, kolegët dhe bashkëpunëtorët kanë qenë shumë pozitive.

Kam pasur mundësinë të studioj dhe të punoj në mjedise ndërkombëtare, me njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, ku jam ndier i respektuar dhe i vlerësuar për punën time.

Natyrisht, nuk mund të flas në emër të të gjithëve dhe as të pretendoj se përvoja ime përfaqëson çdo student të huaj në Gjermani. Por, nga përvoja ime personale, mund të them se bashkëpunimi, respekti i ndërsjellë dhe vlerësimi i aftësive profesionale kanë qenë gjithmonë në plan të parë.

Telegrafi: Pse vendoset të studioni në drejtimin shkencor, Fizikë Bërthamore?

Doruntin Shabani: Shkenca në përgjithësi më ka mahnitur gjithmonë, por fizika ka pasur një vend të veçantë në interesimet e mia. Më ka intriguar vazhdimisht dëshira për të kuptuar se si funksionon bota që na rrethon, duke filluar nga grimcat më të vogla e deri te fenomenet më të mëdha të natyrës.

Për mua, motivimi kryesor nuk ka qenë domosdoshmërisht dëshira për t’u bërë fizikan, por kureshtja për të kuptuar se çfarë ndodh, si ndodh dhe pse ndodh. Pikërisht kjo kureshtje më ka shtyrë ta ndjek këtë drejtim.

Sa i përket doktoraturës, një rol shumë të rëndësishëm në vendimin tim ka luajtur projekti kërkimor që m’u prezantua nga profesorët. Projekti lidhej me zhvillimin dhe optimizimin e sistemeve bërthamore për prodhimin e molibdenit-99, një izotop radioaktiv nga i cili përftohet tekneciumi-99m, që përdoret gjerësisht në diagnostikimin mjekësor.

Në zgjedhjen e kësaj teme kanë ndikuar edhe përvojat nga jeta e përditshme dhe njerëzit përreth meje që janë përballur me sëmundje si kanceri. Mundësia që puna ime kërkimore të lidhej me teknologji që përdoren në mjekësi ishte një motivim shtesë për ta zgjedhur këtë projekt.

Telegrafi: Po tani që keni diplomuar si ndjeheni?

Doruntin Shabani: Ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar që kam arritur ta përfundoj këtë etapë të rëndësishme të jetës sime.

Doktoratura ka qenë një rrugëtim i gjatë, me shumë punë, përkushtim, sfida dhe sakrifica. Ka pasur momente kur gjërat nuk kanë shkuar sipas planit dhe kur më është dashur të gjej motivimin për të vazhduar përpara. Prandaj, përfundimi i saj është një ndjenjë shumë e veçantë.

Ajo që ma ka bërë këtë arritje edhe më të bukur ka qenë gëzimi i njerëzve përreth meje. Kur lajmi për përfundimin e doktoraturës u bë i ditur, mora shumë urime dhe mesazhe të ngrohta, edhe nga njerëz që nuk i njoh personalisht. Më ka gëzuar shumë fakti që kaq shumë njerëz e kanë ndarë këtë moment të veçantë me mua dhe dua t’i falënderoj sinqerisht të gjithë për urimet dhe fjalët e mira.

Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë mësuesit dhe profesorët që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim arsimor, që nga hapat e parë në shkollë e deri te përfundimi i doktoraturës. Secili prej tyre, në mënyrën e vet, ka kontribuar në formimin tim dhe në njohuritë që kam fituar gjatë këtyre viteve. Jam mirënjohës edhe për kolegët me të cilët kam pasur fatin të bashkëpunoj dhe për miqtë e mi, të cilët kanë qenë pranë meje dhe me të cilët kam ndarë shumë momente të bukura e të vështira gjatë këtij rrugëtimi.

Mbi të gjitha, dua të falënderoj bashkëshorten dhe familjen time, të cilët kanë qenë mbështetja ime e vazhdueshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Pa mbështetjen, dashurinë dhe ndihmën e tyre, kjo arritje nuk do të kishte qenë e mundur.

Kjo doktoraturë mban emrin tim, por në rrugëtimin drejt saj kanë dhënë kontribut shumë njerëz, të cilëve do t’u jem gjithmonë mirënjohës.

Telegrafi: Si i vlerësoni studentët shqiptarë në trojet shqiptare dhe në Evropë, sa ka dallim në formën e mësimnxënies mes neve dhe evropianëve?

Doruntin Shabani: Studimi jashtë vendit është një përvojë që do t’ia rekomandoja çdo të riu që ka mundësinë ta provojë. Përveç njohurive akademike, të jep mundësinë të njohësh kultura të ndryshme, të takosh njerëz me përvoja dhe këndvështrime të tjera dhe ta shohësh botën nga një perspektivë më e gjerë. Natyrisht, largimi nga familja dhe përshtatja me një mjedis të ri sjellin edhe sfidat e veta, por besoj se pikërisht këto përvoja të ndihmojnë të zhvillohesh jo vetëm profesionalisht, por edhe si person.

Gjatë studimeve të mia në Turqi dhe më vonë në Gjermani, kam pasur fatin të njoh shumë studentë shqiptarë të mrekullueshëm nga të gjitha trojet shqiptare. Kam krijuar miqësi me njerëz të jashtëzakonshëm, të cilët i kam vlerësuar jo vetëm për aftësitë dhe përkushtimin e tyre akademik, por edhe për karakterin, mirësinë, gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët dhe mënyrën se si i përballojnë sfidat. Disa prej këtyre miqësive vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime edhe sot.

Sa u përket studentëve në Kosovë, nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të bëja një krahasim të drejtpërdrejtë, pasi studimet universitare nuk i kam ndjekur atje dhe nuk e njoh nga afër atë sistem. Bashkëshortja ime, për shembull, ka përfunduar studimet bachelor në Kosovë dhe ato master në Gjermani, prandaj përmes përvojës së saj kam pasur mundësinë të dëgjoj edhe për dallimet mes këtyre dy sistemeve. Megjithatë, besoj se përvojat individuale, sado të vlefshme, nuk mjaftojnë për të nxjerrë përfundime të përgjithshme.

Në fund, mendoj se studentët, pavarësisht se nga vijnë apo ku studiojnë, mund të kenë aftësi dhe potencial të madh. Megjithatë, kushtet e studimit, mundësitë që u ofrohen dhe mjedisi akademik luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe shfrytëzimin e këtij potenciali.

Telegrafi: Po nxënësit shqiptarë në Kosovë si i shihni, duke iu referuar rezultateve të testit PISA?

Doruntin Shabani: Rezultatet e testit PISA tregojnë se sistemi ynë arsimor përballet me sfida dhe mendoj se këto rezultate duhet të shërbejnë si një mundësi për të reflektuar dhe për të identifikuar fushat ku nevojiten përmirësime. Megjithatë, nuk besoj se ato duhet të përdoren për të gjykuar aftësitë apo potencialin e nxënësve tanë.

Për mua, arsimi ka një rol shumë më të gjerë sesa vetëm përvetësimi i njohurive dhe arritja e rezultateve të mira në teste. Shkolla duhet të jetë edhe një vend ku të rinjtë zhvillojnë mendimin kritik, respektin për të tjerët, ndjenjën e barazisë dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.

Besoj se shumë nga problemet me të cilat përballemi si shoqëri lidhen edhe me mënyrën se si edukojmë brezat e rinj dhe me vlerat që u përcjellim atyre, si në familje ashtu edhe në shkollë. Arsimi nuk mund t’i zgjidhë i vetëm të gjitha problemet shoqërore, por ka një rol thelbësor në krijimin e një shoqërie më të drejtë, më të përgjegjshme dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të të tjerëve.

Edhe unë e kam përfunduar shkollimin e mesëm në Kosovë, ndërsa shkollimin fillor në Preshevë. Këto përvoja kanë qenë pjesë e rëndësishme e formimit tim dhe e rrugëtimit që më vonë më çoi drejt studimeve universitare.

Prandaj, për mua është e rëndësishme që, krahas identifikimit të mangësive të sistemit, të vlerësohet dhe të mbështetet potenciali i të rinjve tanë.

Telegrafi: Cilat janë planet e juaja, do kontribuoni në shtetet shqiptare, apo, do e vazhdoni karrierën në Evropë?

Doruntin Shabani: Për momentin, synimi im është të vazhdoj zhvillimin profesional dhe shkencor, të fitoj përvoja të reja dhe të zgjeroj njohuritë e mia në fushën ku punoj.

Sa i përket kontributit në vendlindje, kjo është diçka që e kam pasur gjithmonë në mendje gjatë rrugëtimit tim akademik. Mendoj se njohuritë dhe përvojat që fitohen jashtë vendit mund të jenë shumë të vlefshme edhe në vendlindje, sidomos në fusha ku ka hapësirë për zhvillim të mëtejshëm.

Nuk mendoj se vazhdimi i karrierës jashtë vendit dhe kontributi në vendlindje e përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, sot ekzistojnë shumë mundësi bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe njohurish, pavarësisht se ku jetojmë apo punojmë.

Sa i përket kthimit, është diçka që e mendoj vazhdimisht. Për momentin, dua të vazhdoj të mësoj dhe të fitoj përvojë, por jam gjithmonë i hapur ndaj mundësive të reja, qoftë për bashkëpunime apo angazhime profesionale në vendlindje.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për gjithë nxënësit, studentët shqiptarë duke pas parasysh që në Shqipëri dhe kudo në botë po protestohet më të madhe kundër sistemit? Apo ndonjë mesazh tjetër!

Doruntin Shabani: Mendoj se nxënësit dhe studentët janë një nga pasuritë më të mëdha që ka një shoqëri, sepse tek ata qëndron e ardhmja e saj. Prandaj, është shumë e rëndësishme që t’u krijojmë kushte sa më të mira për arsimim, zhvillim dhe realizimin e potencialit të tyre.

Besoj se duhet të investojmë vazhdimisht në arsim, në cilësinë e mësimdhënies, në infrastrukturë, në mundësitë për punë praktike dhe kërkimore, si dhe në krijimin e një mjedisi ku të rinjtë ndihen të mbështetur dhe të inkurajuar për të ndjekur synimet e tyre. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për të ardhmen e tyre individuale, por për zhvillimin e gjithë shoqërisë.

Nga ana tjetër, mesazhi im për të rinjtë është që të besojnë në aftësitë e tyre, të jenë kureshtarë dhe të mos kenë frikë të synojnë lart. Unë besoj shumë në fuqinë e vendosmërisë dhe përkushtimit. Dhuntia është e rëndësishme, por vetëm dhuntia nuk mjafton. Duhet punë, durim, disiplinë dhe gatishmëri për të mësuar vazhdimisht.

Nga përvoja ime personale, kam kuptuar se rruga drejt një synimi nuk është gjithmonë e lehtë dhe se vështirësitë janë pjesë e natyrshme e saj. E rëndësishme është të mësojmë nga këto përvoja dhe të vazhdojmë të zhvillohemi.

Në fund, besoj se vendi prej nga vijmë nuk duhet t’i përcaktojë kufijtë e ambicieve tona. Me vendosmëri, përkushtim, punë të vazhdueshme dhe mundësitë e duhura, mund të arrijmë shumë më tepër sesa ndoshta e kemi imagjinuar në fillim.

Prandaj, mesazhi im është i dyanshëm: të rinjtë të vazhdojnë të besojnë dhe të investojnë në veten e tyre, ndërsa ne si shoqëri të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u krijuar kushtet që ata meritojnë për t’u zhvilluar dhe për të pasur sukses./Telegrafi/

Lexo edhe

Pasi kompania nuk pranon marrëveshje, gjyqtari premton rritje të kompensimit për lëndimet e lehta

Pasi kompania nuk pranon marrëveshje, gjyqtari premton rritje të kompensimit për lëndimet e lehta

Galatasaray mposht Stuttgartin – në ndeshjen e tensionuar në Stamboll

Galatasaray mposht Stuttgartin – në ndeshjen e tensionuar në Stamboll

Shiroka Pula: Ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson

Shiroka Pula: Ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson

Nga Presheva në Gjermani, Doruntin Shabani doktoron në Fizikë Bërthamore: Shkenca nuk njeh kufij, vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona | Momenti