Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë, nën dyshimin se ka inskenuar vjedhjen në depon e armëve që e kishte në pronësi dhe se armët nga ky poligon i licencuar i ka shitur te persona të tretë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti fillimisht ishte raportuar më 30 tetor 2026 si “vjedhje e rëndë”, në një depo (poligon) armësh në Gjakovë. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë zhvilluar hetime lidhur me rastin.
Gjatë hetimeve, sipas Policisë, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos për vjedhje ka qenë i inskenuar dhe se armët që ndodheshin në poligonin e licencuar janë keqpërdorur, përkatësisht janë shitur te palë të treta nga vetë pronari.
Me qëllim të sigurimit të provave shtesë për dyshimet për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Deklarimi i rremë”, më 3 nëntor policia ka kryer kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës.
Gjatë këtij operacioni është arrestuar i dyshuari me inicialet V.C., mashkull kosovar, ndërsa janë sekuestruar dëshmi që do të përdoren në procedurën penale.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.




