Rusia ka ndërmarrë një valë sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës të martën, duke lënë pa energji elektrike një pjesë të madhe të vendit. Sulmet u kryen me dhjetëra raketa dhe qindra dronë, vetëm një javë para rifillimit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se të paktën 33 persona janë vrarë të hënën, pasi Rusia bombardoi dy herë një shkollë në fshatin Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias, e cila po përdorej për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Sipas tij, rreth 50 persona besohet se ende ndodhen nën rrënoja, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, zyrtarët rusë pretenduan se Ukraina kishte shkaktuar zjarr gjatë natës në një rafineri të madhe nafte në qytetin e Yaroslavlit.
Sulmet ndodhën më pak se dy ditë pas përfundimit të një armëpushimi të shkurtër humanitar në qytetin Oleshky, nën kontrollin rus, i cili ishte arritur me ndihmën e zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump.
Zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje për mundësinë e përparimit në negociatat që SHBA-ja ka planifikuar të mbajë në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor.
Moska deklaroi se forcat e saj kishin shënjestruar njësitë ushtarake ukrainase në zonat përreth Komyshuvakhas dhe dy vendbanimeve të tjera në rajonin e Zaporizhzhias. Sipas deklaratës ruse, deri në 25 ushtarë ukrainas janë vrarë, ndërsa janë shkatërruar edhe 15 automjete dhe një stacion i luftës elektronike.
Gjatë një konference të përbashkët për media në Berlin me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, Zelensky tha se sulmi dëshmon se Moska është e përqendruar në vrasjen e njerëzve, në vend që të shfrytëzojë armëpushimin humanitar në Oleshky për të ndërtuar besimin.
Gjermania është bërë mbështetësja më e madhe e Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus, që nga rikthimi i Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe tërheqja e mbështetjes financiare të SHBA-së.
Kancelari Merz e cilësoi rifillimin e bisedimeve si “hapin e duhur” drejt përfundimit të luftimeve, duke theksuar se edhe Evropa duhet të jetë pjesë e procesit.
“Por do të thosha gjithashtu se është e rëndësishme që Rusia më në fund të angazhohet në negociata serioze për një armëpushim dhe një marrëveshje të mëvonshme paqeje. Deri më tani, nuk kam parë asnjë shenjë të kësaj”, deklaroi Merz.
Ndërkohë, Komisioni Evropian bëri të ditur se të mërkurën do të organizojë një takim për Ukrainën, ku do të marrin pjesë përfaqësues të SHBA-së, NATO-s, vendeve aleate evropiane dhe vetë Ukrainës.
Sipas Zelenskyt, në këtë takim do të diskutohen një plan për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Ukrainës, si dhe garancitë e sigurisë për vendin. NATO-ja ka njoftuar se konsultimet do të vazhdojnë edhe të enjten.
Burimi: Dukagjini




