Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur me ceremoni të larta ushtarake në Prishtinë, gjeneralmajorin Stephen E. Osborn, adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë takimit të mbajtur në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, gjenerallejtënant Jashari i ka ndarë gjeneralmajorit Osborn Medaljen për Shërbim Vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Sipas njoftimit të FSK-së, partneriteti ndërmjet dy forcave, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, mbetet dëshmi e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fund të njoftimit, FSK-ja ka përcjellë mesazhin: “Kosova dhe SHBA – partneritet i përhershëm!”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




