Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka ngritur akuza për përjashtimin e përfaqësuesve shqiptarë nga seancat e mbyllura të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku trajtohen çështje të ndjeshme dhe materiale të klasifikuara.
Në një komunikatë të publikuar në Facebook, BDI-ja thotë se, bazuar në informacione nga sinjalizues brenda Qeverisë, në një pjesë të madhe të këtyre seancave nuk merr pjesë asnjë përfaqësues i koalicionit shqiptar VLEN.
Sipas BDI-së, përfaqësuesit e VLEN-it nuk kanë qasje në materialet që shqyrtohen dhe nuk janë të pranishëm gjatë diskutimeve dhe marrjes së vendimeve.
BDI pyet se cilat vendime janë marrë deri më tani në seancat e mbyllura të Qeverisë, pa praninë dhe dijeninë e përfaqësuesve shqiptarë.
Partia e cilëson këtë si “nivel të paprecedentë të përjashtimit të shqiptarëve nga vendimmarrja reale shtetërore”.

