Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, dhe se për këtë ka ftuar ekspertë.
Pacolli ka thënë se këto deklarata për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin e Ibër-Lepencit janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme.
Pacolli ka thënë se sipas Konventës së Helsinkit shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe t’i mbrojnë ekosistemet ujore.
Ajo u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara e partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj deklaratave të Vuçiqit.
“Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër. Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike e Republikës së Kosovës. Ky sistem është jetik për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për funksionimin e sektorit energjetik, për bujqësinë dhe për ekuilibrin mjedisor të një pjese të rëndësishme të vendit. Prandaj, çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore. Është çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, dhe duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal nga bashkësia ndërkombëtare. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ajo ka thënë se Kosova do t’i mbrojë resurset e saja ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
