Akuzat për korrupsion në MPB tashmë janë në duart e organeve kompetente. Dyshimet lidhen me dhënien e paligjshme të lejeve të drejtimit për kategoritë “C” dhe “D”, në këmbim të ryshfetit, edhe pse përfituesit nuk kishin ndjekur trajnimin apo dhënë provimin përkatës. Nga MPB-ja për Alsat thonë se rasti tashmë është duke u trajtuar.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka njoftuar Prokurorinë Themelore Publike kompetente dhe në koordinim me prokurorinë, po ndërmerren aktivitete kompetente për zbardhjen e rastit, pas çka opinioni do të informohet në mënyrën e duhur“, thonë nga MPB.
Nga ana tjetër, nga Prokuroria për Alsat thonë se veprimi aktualisht është në kompetencë të MPB-së, ndonëse rasti është i koordinuar me Prokurorinë. Një ditë më parë LSDM-ja ngriti akuza për një skemë të dyshuar korruptive brenda MPB-së, duke pretenduar se për 1.400 euro ryshfet, persona të cilët nuk kanë ndjekur trajnimin përkatës dhe as nuk kanë dhënë provim, në mënyrë të paligjshme kanë përfituar leje drejtimi për kategoritë “C” dhe “D”, përkatësisht për drejtimin e kamionëve dhe autobusëve. Sipas partisë opozitare, skema funksiononte përmes deklarimit të patentës si të humbur, pas së cilës në sistem në mënyrë të paligjshme regjistroheshin kategoritë shtesë.
Nga LSDM-ja pretendojnë se në këtë mënyrë janë lëshuar më shumë se 300 patenta të paligjshme, duke paralajmëruar se personat që i posedojnë ato mund të përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë në komunikacion. Kështu, deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga institucionet për shifrën prej mbi 300 patentave të lëshuara në mënyrë të paligjshme, e as për pretendimin se për to është kërkuar nga 1.400 euro.
Opozita, ndërkaq, kërkon hetim urgjent dhe të plotë, identifikimin dhe anulimin e të gjitha patentave të dyshimta, si dhe përgjegjësi politike nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski

