Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar sot në 31 gusht pas humbjes së jetës së një nëne shtatzënë dhe foshnjës së saj.
Përmes një deklarate, Ministria shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës. MSH bëri të ditur se po ndjek me përgjegjshmëri të plotë trajtimin dhe menaxhimin e rastit.
Ministria ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor për rastin. Vlerësimi do të përfshijë periudhën nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Ministria theksoi angazhimin për të gjetur përgjegjësit për ngjarjen. “Nëse evidentohen parregullsi apo mangësi, do të merren masat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, thuhet në reagim.
DEKLARATË PËR SHTYP
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.
Pikërisht ditën e sotme, një 37-vjeçare shtatzanë ka humbur jetën, ndërsa ishte duke u transportuar drejt Tiranës, ku po dërgohej për trajtim shëndetësor. Gruaja ishte paraqitur fillimisht në Spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas ekzaminimeve dhe konsultave, mjekët vendosën transferimin e saj drejt kryeqytetit. Gjatë transportit, në afërsi të Elbasanit, gjendja shëndetësore e 37-vjeçares është përkeqësuar dhe gruaja ka humbur jetën.
Dyshohet se gruaja mund të ketë pësuar hemorragji të brendshme. Ajo ishte rreth 7 muaj shtatzënë. Fatkeqësisht, ndërroi jetë edhe foshnja e saj./Tv Klan

