Veprimtari politik, Berat Luzha, ka rrëfyer për periudhën e aktivitetit të grupeve shqiptare në ish-Jugosllavi dhe vrasjen e Kadri Zekës, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës në vitin 1982.
Duke folur për takimin e Stambollit dhe përpjekjet për bashkimin e grupeve, Luzha në ciklin “Dosjet” në kuadër të emisionit “Debat Plus” tha se vrasja e tyre lidhej me aktivitetin e përbashkët dhe rrezikun që përfaqësonte bashkimi i tyre për Jugosllavinë.
“Vriten për shkak të aktivitetit të përbashkët, për shkak të rrezikut që prej tyre i ndiente Jugosllavia dhe për shkak se po bashkoheshin grupet, po formohej organizata e përbashkët. Mendoj që nata e vrasjes ka qenë njëkohësisht nata e bashkimit të grupeve”, tha Luzha.
Ai tregoi se lajmin për vrasjen e Kadri Zekës, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës e kishte marrë gjatë kohës sa ndodhej në burg.
“Unë kam qenë në burg kur kam marrë lajmin, sigurisht që lajmi ka qenë shumë i rëndë”, u shpreh ai.
Luzha tha se në tetor të vitit 1981 ishte kthyer nga Zvicra, ku kishte shkuar me qëllim që të informohej për takimin e zhvilluar në Stamboll.
“Ka qenë gjatë muajit tetor të vitit 1981”, tha ai.
Sipas tij, pas kthimit nga Zvicra, ai kishte informuar komitetin drejtues për negociatat e zhvilluara në Stamboll, ndërsa arrestimi i tij kishte ndodhur rreth dy muaj më vonë.
Në intervistë, gazetari Ermal Panduri e cilësoi këtë periudhë si një nga momentet më të rëndësishme të përpjekjeve për bashkimin e grupeve shqiptare, duke theksuar se Luzha ishte dërguar nga komiteti për të kuptuar zhvillimet rreth takimit dhe më pas kishte informuar OMLK-në në Kosovë.
Luzha konfirmoi se pas këtyre zhvillimeve vazhduan përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje dhe bashkimin e grupeve./Tv Dukagjini/
– YouTube www.youtube.com
