Në emisionin EURO n’T7 është diskutuar për vendimin e Hagës dhe pasojat që ky vendim do të ketë në ekonominë e vendit.
Profesori i ekonomisë, Bashkim Mustafa, ka analizuar pasojat ekonomike që mund t’i ketë vendi pas vendimit të Gjykatës Speciale, e që sipas tij do të jenë fatale, sidomos në mundësinë e tërheqjes së investitorëve të huaj, pasi vendi ynë po paraqitet si vend me pasiguri të mëdha juridiko-politike.
“Përderisa flitet në botë për një gjykatë që është themeluar nga Kosova e që funksionon në Holandë, në aspektin strategjik të investitorëve të mëdhenj tregon se në Kosovë paska pasiguri juridike. Rasti i fundit i kompensimit të viktimave nga Gjykata Speciale thuhet se duhet të bëhet në Hagë e jo në Kosovë për shkak të mungesës së një sistemi të mirë gjyqësor në Kosovë. Pra, përveç vendimit të padrejtë që u dha çlirimtarëve, që ishte një goditje e rëndë për të gjithë ne, u godit edhe sistemi ynë gjyqësor, duke e cilësuar vendin tonë si një vend ku nuk ka siguri juridike dhe kjo do të ketë ndikim jashtëzakonisht negativ edhe në ekonomi, për shkak se investitorët e huaj nuk shkojnë në një vend ku nuk ka siguri juridike dhe ky është skandal mbi skandale i prodhuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, profesori Bashkim Mustafa ka thënë se çdo investitor i huaj, para se të shkojë në një vend për të investuar, hulumton të gjitha hallkat e funksionimit të shtetit dhe, kur sheh se ka kësi problemesh, ai tërhiqet menjëherë.
“Ne jemi futur në një sistem katrahurë të pasigurisë ekonomike dhe politike, e cila ka efekte të njëpasnjëshme në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja strategjike, dhe pse që nga pandemia e këndej nuk është se kemi pasur ndonjë investitor strategjik, e për më keq kemi humbur edhe fondet e BE-së që ishin planifikuar rreth 900 milionë euro për Kosovën e që deri më tash kemi marrë vetëm rreth 70 milionë”, ka thënë Mustafa.
The post Mustafa: Pasojat në ekonominë vendore pas vendimit të Gjykatës Speciale do të jenë të jashtëzakonshme appeared first on Gazeta Express.

