Në emisionin EURO n’T7 është diskutuar për vendimin e Hagës dhe pasojat që ky vendim do të ketë në ekonominë e vendit.
Profesori Shkumbin Misini, në analizën e tij për pasojat e vendimit të Gjykatës Speciale në aspektin ekonomik, i ka cilësuar ato si shumë të rënda dhe me pasoja afatgjata.
Ai ka thënë se gjatë gjithë këtyre viteve Kosova ka dështuar në aspektin diplomatik dhe në provimin e shtetit tonë si vend i sigurt për investimet e huaja dhe se për këtë fajtorë janë të gjitha qeveritë që kemi pasur.
Profesor Misini ka përmendur edhe rastin e fundit të dënimit në shkallën e parë të krerëve të UÇK-së në Hagë dhe pasqyrimet që u bënë në mediat më të mëdha ndërkombëtare për Kosovën si një vend me pasiguri të mëdha juridike.
“I kemi pa shkrimet në ‘New York Times’, në ‘The Guardian’ e në media tjera të mëdha ndërkombëtare pas vendimit në Hagë, ku vendin tonë e kanë paraqitur si vend të pasigurt juridikisht. Kjo do të përcillet me pasoja të mëdha në ekonomi. Diplomacia e shtetit tonë ka dështuar ndër vite, si ajo politike, ashtu edhe ajo ekonomike, sepse partitë politike, në vend se të dërgojnë në misione diplomatike persona me kredibilitet dhe profesionalizëm, kanë dërguar militantë politikë, e që pasojat do t’i bartim gjithë ne”, ka thënë Misini.
Në anën tjetër, Misini ka folur edhe për fondet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ku Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, por për shkak të problemeve të vazhdueshme politike nuk ka arritur t’i shfrytëzojë më shumë se 7 për qind prej tyre.
“93% e fondit prej 886 milionë eurosh ka mbetur pa u shfrytëzuar nga Kosova për shkak të vonesave në reforma të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kjo si pasojë e problemeve të vazhdueshme politike në vend, si vonesa në krijimin e institucioneve vendore të dala nga zgjedhjet nacionale. Përgjegjësia për mosshfrytëzimin e këtyre fondeve bie mbi Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, të cilat, përveç se po na i zvarrisin krijimin e institucioneve, po na ulin cilësinë e jetës me keqqeverisjen e tyre, po na i humbin edhe fondet e ndara nga Bashkimi Evropian”, ka shtuar Misini.
The post Misini: Nuk kemi as diplomaci politike e as ekonomike – pasojat do të jenë të mëdha për vendin appeared first on Gazeta Express.

