Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, paralajmëroi të mërkurën se Evropa duhet të përgatitet për sulme të mëtejshme hibride ruse në muajt në vijim, duke thënë se kontinenti përballet me një “dimër të errët”.
Duke folur për Euronews në Bruksel, Francken e cilësoi Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë e Belgjikës.
Vendi ka përjetuar disa incidente me dronë këtë vit, disa prej të cilëve kanë ndërprerë trafikun ajror.
“Rusia, sulm ajror, sulm ajror, sulm ajror. Ky është kërcënimi më i madh. Pra, na duhet mbrojtje ajrore, mbrojtje ajrore, mbrojtje ajrore”, ka thënë Francken.
Ai shtoi se Evropa ka nevojë për teknologjinë ukrainase për t’iu kundërvënë dronëve rusë me motorë reaktivë.
“Duhet të kemi më shumë rezerva, më shumë prodhim, të rrisim kapacitetet prodhuese dhe të kemi një bazë të gjerë industriale. Gjithçka duhet të ecë më shpejt. Do të ketë më shumë veprime që përbëjnë kërcënime hibride në muajt e ardhshëm. Do të jetë një dimër i errët për Evropën”, ka thënë më tej ai.
Ministri theksoi se Rusia ka një përvojë 50-vjeçare në sulmet hibride dhe se Belgjika duhet të ecë në hap me trendet teknologjike.
“Nuk dua të kem 200,000 dronë diku në magazinë, e pas dy muajsh të mos mund t’i përdorësh dot sepse janë vjetëruar. Pra, duhet të përshtatemi”, ka shtuar ai.
Francken tha se Belgjika prej kohësh kishte investuar pak në mbrojtje, por se tani vendi po i rrit shpenzimet.
“Ishim si nxënësi më i dobët në klasën e NATO-s. Shpenzonim 1 për qind të PBB-së për mbrojtjen”, tha ai, duke shtuar se shpenzimet tashmë janë dyfishuar.
“Por nuk mund të bëj në 18 muaj atë që është lënë pas dore për 40 vjet”.
Francken vuri në dukje se Belgjika aktualisht ka borxhin më të lartë në BE dhe një nga situatat buxhetore më sfiduese, por tha se qeveria mbetet e përkushtuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Megjithatë, ai shtoi se alokimi i 5% të PBB-së për mbrojtjen nuk do të ishte realist për Belgjikën në një të ardhme të afërt. /Telegrafi
The post Ministri belg paralajmëron për “dimër të errët për Evropën” me më shumë “luftë hibride” nga Rusia appeared first on Gazeta Express.

