Kryeministri Edi Rama ka folur për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur te mënyra se si policia dhe prokuroria do të mund të aksesojnë të dhënat e telefonave gjatë një hetimi.
Rama deklaroi se sekuestrimi i një telefoni nuk duhet të nënkuptojë automatikisht të drejtën për të kontrolluar të gjithë përmbajtjen e tij. Sipas tij, për hapjen, kopjimin apo përpunimin e të dhënave do të kërkohet autorizim paraprak nga gjykata.
“Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së njeriut, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj, sekuestrimi i një pajisjeje nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se policia dhe prokuroria do të kenë të drejtë të sekuestrojnë pajisjen, por aksesi në përmbajtjen e saj do të jetë subjekt i vendimit të gjykatës.
Sipas tij, gjykata do të përcaktojë konkretisht pajisjen që mund të kontrollohet, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën kohore dhe kriteret e kërkimit. Në rastet urgjente, parashikohet që veprimi të shqyrtohet nga gjykata brenda 48 orëve.
Rama theksoi gjithashtu se të dhënat e marra jashtë autorizimit do të konsiderohen të papërdorshme, ndërsa materialet që nuk kanë lidhje me hetimin duhet të asgjësohen.
Ai u ndal edhe te përgjimet, duke deklaruar se duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që kanë lidhje me hetimin, përfshirë edhe ato që mund të jenë në favor të personit nën hetim.
“Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material i përdorshëm si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik”, u shpreh kryeministri.
Ndryshimet e propozuara prekin edhe marrjen e mostrave biologjike dhe ruajtjen e profileve gjenetike, të cilat Rama tha se do të rregullohen në mënyrë më të plotë, duke parashikuar pëlqimin e informuar ose vendimin e gjykatës, praninë e mbrojtësit dhe asgjësimin e detyrueshëm të të dhënave pas një pafajësie të formës së prerë.
Kryeministri deklaroi se synimi i ndryshimeve është që procedimi penal të ketë një fillim të përcaktuar, objekt të qartë dhe një fund të verifikueshëm. /euronews.al/

