Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me importin e produkteve nga Serbia, duke e vënë theksin te blerja e barnave nga shteti i Kosovës.
Ramadani ka kritikuar partinë në pushtet për mungesën e një programi për mbështetjen e prodhimit vendor pas heqjes së tarifës 100 për qind.
Sipas tij, Kosova vazhdon të blejë mallra nga Serbia.
Lexoni të plotë postimin:
DITA E 21 E BLLOKADËS SË RE:
Tregu ynë u pushtua nga Serbia. Heqja e tarifave 100% nuk u zëvendësua me kurrfarë programi për të mbështetur prodhimin vendor.
Me miliarda euro blejmë mallra në Serbi. Jo veç qytetarët si individë në tregun e lirë, por nga Serbia blen edhe shteti i Kosovës.
Po të funksiononte sot Kuvendi, do të ballafaqonim fort këtë hipokrizi të pushtetit të Vetëvendosjes, që blen barna në Serbi edhe pas sulmit paramilitar terrorist të Serbisë në Bansjkë.
Ja një shembull tjetër se si Qeveria e Kosovës blen barna në Serbi:
• Bari: Tramadol 50 mg/2 ml injeksion
• Emri tregtar: Trodon
• Prodhuesi: Hemofarm AD, Vršac, Serbi
• Blerësi: Ministria e Shëndetësisë
• Furnizuesi: Exclusive Corporation SH.P.K., Gjilan
• Procedura: 206-24-573-1-1-1
• Kontrata: 206-24-573-1-1-1/C654
• Data: 12.06.2024
Pra, kjo kontratë është bërë 9 muaj pas sulmit në Banjskë.
Ikja nga ballafaqimi në Kuvend ka arsye të shumta, siç po duket!. /Telegrafi/
