Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti” ka njoftuar se,nga data 10 gusht nuk do të lejohet më dërgimi individual i mbeturinave nga bizneset në Deponinë Sanitare Rajonale në Sferkë të Thatë, pa autorizim paraprak nga kompania.
Ky vendim është ndërmarrë me qëllim të sigurimit të një menaxhimi më të rregullt, efikas dhe transparent të procesit të grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave. KRM “Ambienti” Sh.A. ofron shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave për klientët juridikë në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme, në bazë të itinerareve të përcaktuara dhe kontratave të shërbimit.
Kompania rikujton bizneset se janë të obliguara të përdorin shërbimin e ofruar nga KRM “Ambienti” Sh.A., të përmbushin në kohë detyrimet financiare sipas faturave të lëshuara dhe të deklarojnë saktë sasinë e mbeturinave të krijuara, në mënyrë që tarifimi të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë klientët.
Në kuadër të zbatimit të kësaj mase, KRM “Ambienti” thekson se do të shtojë kontrollet në terren dhe në hyrje të deponisë. Çdo rast i dërgimit të paautorizuar të mbeturinave ose shmangies së procedurave të përcaktuara do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e brendshme të kompanisë.
The post “Mbeturinat në deponi vetëm me autorizim”, del vendimi i ri për Sferkën appeared first on Gazeta Express.

