Zvicra është renditur në vendin e parë në botë për kushtet më të favorshme për kapitalizëm, sipas Global Capitalism Index, indeksit të ri të Universitetit të Virxhinias.

Në renditjen e vitit 2025, Zvicra ka marrë 96.9 pikë nga 100, duke lënë pas Shtetet e Bashkuara me 95 pikë, Hong Kongun me 94.5, Kanadanë me 93.8 dhe Singaporin me 93.3 pikë. Në total janë vlerësuar 161 shtete, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.
Studimi nuk mat pasurinë apo performancën ekonomike të një vendi, por kushtet institucionale që mundësojnë funksionimin e tregjeve.
Në vlerësim përfshihen të drejtat e pronësisë, konkurrenca, tregu i punës, sistemi bankar, tregjet e kapitalit, krijimi i bizneseve dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe kapitalit.
Një nga avantazhet kryesore të Zvicrës është stabiliteti i sistemit bankar. Në këtë kategori, vendi ka shënuar rezultate veçanërisht të larta krahasuar me shtetet e tjera të Evropës Perëndimore.
Sipas të dhënave të indeksit, Zvicra ishte në vendin e pestë në vitin 2009, ndërsa tani është ngjitur në krye të renditjes globale./Telegrafi/




