Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me zhvillimet pas miratimit të nismës për ndryshimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara.
Abdixhiku ka thënë se kanë kaluar më pak se 48 orë dhe, sipas tij, tashmë është dëshmuar se nisma nuk prodhon efektin juridik që u është premtuar qytetarëve.

“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar”.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, më herët e kanë sulmuar LDK-në për qëndrimin e saj ndaj kësaj nisme.
“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka publikuar edhe qëndrimin zyrtar të LDK-së të mbajtur më 5 tetor në Kuvendin e Kosovës, ku partia kishte paralajmëruar se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk do të mund të shfuqizonte detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.
Sipas LDK-së, edhe nëse ndryshimet miratohen në Kuvend, ato mund të mos prodhojnë efektin juridik të pretenduar, ndërsa mund të kenë pasoja politike dhe ndërkombëtare për Kosovën.
“Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike”, thuhej në qëndrimin e LDK-së më 5 tetor.
The post Abdixhiku për ndryshimin e ligjit: Po, ju kanë mashtruar – dhe po, ua kemi thënë appeared first on Insajderi.




