Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se përfundimi i bllokadës institucionale e ka vendosur sërish vendin në pozitë që të ndjekë me energji të re axhendën evropiane, duke e inkurajuar Kosovën ta vazhdojë këtë rrugë pavarësisht vështirësive.

Ai foli në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Unitetit Gjerman, të enjten në Prishtinë.
“Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë, në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tij”, tha Rudolph, duke shtuar se kjo agjendë nuk ka ndryshuar që nga arritja e tij në Kosovë para një viti.
Ai tha se pret të punojë me presidentin e sapozgjedhur, me Qeverinë dhe me të gjitha institucionet.
Rudolph tha se rruga përpara nuk do të jetë gjithmonë e lehtë dhe se procesi do të kërkojë ende debate e vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët. Si dëshmi për këtë, ai përmendi përvojën e vetë Gjermanisë.
Ai pranoi se në Kosovë ka mungesë durimi për një proces që duket se po zgjat tepër, por tha se e ndan këtë mungesë durimi. Megjithatë, sipas tij, integrimi i plotë i Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë edhe më i rëndësishëm sot se kur vendi e nisi këtë rrugë.
Duke folur për kontekstin më të gjerë, ambasadori tha se peizazhi politik dhe i sigurisë në kontinent është në lëvizje si rrallë herë në vitet e fundit.
Ai kujtoi se lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë dhe se Gjermania e disa vende të tjera evropiane kanë qenë objekt i të ashtuquajturave sulme hibride.
Në këtë drejtim, Rudolph falënderoi ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për deklaratën e solidaritetit pas sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Leipzigut këtë verë.
Rudolph tha se dëshiron ta shohë Kosovën të vijë në tryezë me vlerat e saj si shtet i ri dhe i gjallë në Evropë. Ai theksoi se pas 18 vjetësh pavarësi, Kosova ka ndërtuar një shtet me demokraci të gjallë, ku garantohen shteti i së drejtës dhe liria e fjalës, që u ofron mbrojtje të veçantë qytetarëve nga komunitetet jomajoritare dhe që po bëhet gjithnjë e më shumë ofrues sigurie në Evropë.
Ai tha se tani është koha që vendi të ndërtojë mbi këtë sukses, duke përmendur takimet me nxënës e studentë, shumë prej të cilëve e shohin të ardhmen e tyre në Evropë.
“Të gjithë të rinjtë kosovarë i shoh si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, tha Rudolph, duke shtuar se në ta e sheh atë që i nevojitet Evropës: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore.
Në pjesën hyrëse të fjalimit, Rudolph foli për vitin e parë të tij në Kosovë, të përshkruar si plot takime e përvoja të bukura. Ai kujtoi pritjen e ngrohtë në takime zyrtare, në kryetari komunash nga Dragashi në Leposaviq, në shkolla, universitete, qendra të formimit profesional, biznese e në tryezat e iftarit.
Ai rrëfeu edhe për një alpinist të vetmuar që e takoi në malet e Rugovës: kur mësoi se ishin nga Gjermania, ai mori disa lule, ia dha ambasadorit dhe tha “mirë se vini në Kosovë”.
Sipas Rudolphit, marrëdhënia mes dy vendeve është shumë më e thellë se çdo punë që mund ta bëjë një ambasadë, pasi pothuajse çdo familje në Kosovë ka lidhje personale me Gjermaninë. “Në të vërtetë, jemi familje”, tha ai.
Në përfundim, diplomati gjerman theksoi se Gjermania do të vazhdojë t’i qëndrojë Kosovës si mike dhe partnere në këtë rrugë, siç ka bërë gjithmonë.




