Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do ta sulmojnë Iranin para zgjedhjeve të mesme të Kongresit, të planifikuara për 3 nëntor.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ai tha se SHBA-ja po zhvillon “diskutime produktive” me Republikën Islamike të Iranit, ndërsa theksoi se Teherani ndodhet në gjendje të rëndë ekonomike dhe ushtarake.
“Po zhvillojmë diskutime produktive me Republikën Islamike të Iranit”, shkroi 80-vjeçari.
Lideri amerikan shtoi se, pavarësisht vazhdimit të bllokadës amerikane, nafta po qarkullon përmes Ngushticës së Hormuzit në nivele që ai i cilësoi rekord.
Sipas Trumpit, vetëm gjatë natës së kaluar përmes ngushticës kanë kaluar 22 milionë fuçi naftë, ndërsa pretendoi se “asnjë fuçi” nuk ka ardhur nga Irani apo nuk ka shkuar drejt tij.
“Ndërsa Irani është në gjendje shumë të keqe, si ekonomikisht, ashtu edhe ushtarakisht, dhe ndërsa bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi, ne nuk do ta sulmojmë Iranin në asnjë moment para zgjedhjeve të mesme që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara më 3 nëntor”, deklaroi ai.
Në fund të postimit, presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e tij lidhur me programin bërthamor të Teheranit “Irani nuk do të ketë armë bërthamore!”
Deklarata vjen në një kohë kur tensionet në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit janë përshkallëzuar.
Reuters raportoi të enjten se Irani ka kërcënuar me bllokimin e disa rrugëve të transportit të naftës përmes ngushticës, ndërsa SHBA-ja po shqyrton mundësinë e masave të mëtejshme ushtarake. /Telegrafi/




