Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe një burri, si dhe plagosjes së një personi tjetër në Livoç të Ulët të Gjilanit.
Përmes një reagimi, Shiroka-Pula u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë, njofton Dukagjini.

Ajo ka theksuar se asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut, duke vënë në pah edhe nevojën për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Shiroka-Pula u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta hetojnë rastin me përkushtim, të zbardhin të gjitha rrethanat dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Livoç i Ulët të komunës së Gjilanit, ku një grua dhe një burrë humbën jetën, ndërkaq një tjetër u plagos si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin. Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes. Prandaj, ftoj organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë” thuhet në reagimin e publikuar nga Presidenca.
Burimi: Dukagjini




