Policia greke ka arrestuar dy shqiptarë, të moshës 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar, gjatë një operacioni kundër trafikut të drogës në Athinë, ku janë sekuestruar mbi 350 kilogramë lëndë narkotike.

Të dyshuarit përballen me akuza për blerje, posedim dhe trafikim të drogës, si dhe për dhunë ndaj punonjësve të policisë. Sipas raportimeve, njëri prej shqiptarëve të arrestuar ka precedentë të shumtë penalë, përfshirë edhe një rast vrasjeje.
Gjatë operacionit, në disa lokacione në Athinë dhe në një banesë në Artemida, autoritetet zbuluan sasi të mëdha kokaine, marijuane dhe hashashi në formë çokollate.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia greke, në total u sekuestruan 35 kilogramë e 400 gramë kokainë, 256 kilogramë e 503.3 gramë marijuanë dhe 55 kilogramë e 500.9 gramë hashash në formë çokollate.
Përveç drogës, policia konfiskoi 170 euro, një veturë, shtatë telefona celularë, tri karta memorieje, doreza, materiale paketimi dhe katër çelësa.
Një nga detajet që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishte paketimi i hashashit në formë çokollate, ku shfaqeshin fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, figurës së njohur të trafikut të drogës Pablo Escobar, si dhe logos së një kompanie të njohur të këpucëve.
Hetimet për rastin po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e dyshuar dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kapen mbi 350 kilogramë drogë në Athinë, arrestohen dy shqiptarë dhe një grek appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




